Rruga rajonale Tetovë – Jazhincë problematike në shumë aspekte

Është bërë sfidë e vërtetë vozitja e automjetet nëpër rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë P-1203, rrugë për dalje nga pjesa veriore e qytetit drejt Kosovës ose fshatrat nga komunat Tearcë dhe Jegunoc. Secili vozitës që e kalon aksin e parë nga Tetova deri në Neproshten në gjatësi prej rreth pesë kilometrave duhet të ndalet 15 herë për t’i kaluar pengesat prej betoni të vendosura në rrugë, më të njohura si “policë të shtrirë”. Ato janë vendosur para më shumë se dhjetë viteve nga popullata lokale, në shenjë revolti për shkak të vozitjes së shpejtë dhe aksidenteve të shpeshta në komunikacion, në të cilat kanë pësuar edhe këmbësorë. Ky aks është edhe më i dëmtuari, kështu që ka disa pjesë të rrugës ku mungon asfalti, ndaj mund të shihet edhe kalldrëmi i vjetër 50 vite. Në numër të madh janë edhe vrimat për shkak të cilave drejtimi i automjetit është barazuar me manovrim për t’iu shmangur atyre dhe vozitje me shpejtësi prej më së shumti 10-20 kilometra në orë. Për shkak të pengesave dhe vrimave vozitësit duhet doemos të jenë më të kujdesshëm, prandaj edhe qarkullojnë më ngadalë, gjë që nga ana tjetër shpeshherë do të thotë krijim të kolonave të gjata dhe zhvillim të vështirë të komunikacionit, transmeton MIA. 

Më së shumti pengesa ka në aksin nga lagjja e fundit Drenoc në Tetovë, që është e lidhur me Porojin. Në Poroj shprehen se kanë qenë të detyruar t’i vendosin pengesat meqë 15 vite më parë në disa raste janë shkelur dhe mbytur fëmijë për shkak të vozitjes së shpejtë të vozitësve të pandërgjegjshëm.

Pengesat në rrugë më së shumti probleme u shkaktojnë automjeteve të njësive zjarrfikëse, ndihmës së shpejtë mjekësore dhe transportuesve me autobusë. Automjetet ngadalësohen duke kaluar mbi to, ndonëse për ta është i rëndësishëm çdo sekondë për shkak të intervenimeve për të shpëtuar ndonjë jetë njeriu ose pronë.

Sipas Dispozitës për përcaktimin e kritereve për kategorizimin e rrugëve publike dhe shenjave të tyre të Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, rruga Tetovë – Jazhincë P-1203 paraqet “rrugë rajonale të kategorisë së parë” si rrugë publike që lidhë zonat e dy ose më shumë komunave në shtet dhe është me rëndësi të posaçme për shtetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button