Regjistrimi u mundëson refugjatëve Rohingya identifikimin

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka bërë të ditur se gjithsej 270.348 refugjatë Rohingya janë regjistruar në vendbanimet e varfra të qarkut Cox’s Bazar të Bangladeshit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mesatarisht, rreth 4 mijë refugjatë po regjistrohen në ditë, me qëllim që deri në fund të vitit të përfundojë regjistrimi i të gjithëve në këtë vendbanim”, tha UNHCR në një deklaratë.

“Të kesh një identitet është një e drejtë themelore e njeriut. Po ashtu është një hap i jashtëzakonshëm në një jetë më dinjitoze”, theksoi UNHCR.

Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, gjatë një vizite në Cox’s Bazar, tha: “Mos harroni. Shumë nga këta njerëz, gjatë gjithë jetës së tyre nuk kishin një identitet të duhur. Pra, për ta, po ashtu është një hap i jashtëzakonshëm në një jetë më dinjitoze”.

UNHCR dhe autoritetet e Bangladeshit muajve të fundit zhvilluan takime me figurat kryesore të popullit Rohingya, si me imamët, pleqtë dhe mësuesit, ku diskutuan procesin e regjistrimit dhe rëndësinë e saj.

– Persekutimi i popullit Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button