Të gjithë që kanë problem me autobusë të transportit ndërurban ta paraqesin rastin (Intervistë)

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut transporti ndërurban është njëri nga shërbimet publike gjatë së cilës ka shkelje të të drejtave të udhëtarëve-konsumatorëve, veçanërisht në kushte të mbingarkesës së autobusit. I tillë ishte edhe rasti i autobusit në relacionin Shkup – Gostivar, i dokumentuar kohë më parë nga Portalb.mk. Megjithëse një problematikë e hasur shpesh, për ironi, në organizatën e vetme për mbrojtjen e konsumatorëve, Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) për këtë shërbim, qytetarët thuajse aspak nuk ankohen.

Sipas përgjegjësit të këtyre ankesave në OKM, Branko Kostovski, mosalarmimi nga ana e qytetarëve, rezulton me atë se në situatën e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve në shërbimin publik të  transportit ndërurban, qytetarët duhet të iniciojnë procedurë gjyqësore, dhe jo thjeshtë, administrative.

“Kjo fushë nuk ka ankesa të mjaftueshme deri te ne, sepse konsumatorët duhet që mbrojtjen ligjore ta kërkojnë në procedurë gjyqësore, ku do të kërkojnë dëmshpërblim për dëmin, dhe jo me procedurë administrative”, tha Kostovski.

Portalb: Kemi raste kur autobusët e transportit ndërurban janë të mbingarkuar me udhëtarë. A ka pasur ankesa deri te OKM-ja për këtë çështje, dhe në mënyrë të përgjithshme, si është situata me ankesat për shërbimin e transportit ndërurban?

Branko Kostovski: Në lidhje me këtë çështje, nuk kemi pasur ankesa gjatë viteve të fundit për numër më të madh të udhëtarëve nga e lejuara. Gjatë viteve të fundit, ankesat që kanë të bëjnë me transportin ndërurban janë në sasi të vogël, dhe më së shumti kanë të bëjnë për anulim të udhëtimit, i cili nuk është i paralajmëruar dhe i rregulluar në kohë deri te qytetarët që kanë blerë bileta.

Branko Kostovski, OKM
Branko Kostovski, OKM

Portalb: Pse kaq pak ankesa për këtë shërbim me probleme të mëdha? A dimë t’i mbrojmë të drejtat e konsumatorëve?

Branko Kostovski: Nga praktika e organizatës sonë, del se shumica e konsumatorëve ende nuk i dinë të drejtat e tyre në fushat e caktuara, dhe as që e dinë procedurën se si t’i mbrojnë të drejtat e tyre.

“Ankesat më të mëdha sa i takon shërbimeve publike, lidhen me furnizimit me ujë, rrymë dhe ngrohjes qendrore. Qytetarët më së shpeshti na kontaktojnë me telefon apo edhe nëpërmjet postës elektronike, kurse sipas nevojës, kur kemi raste të komplikuara, caktojmë edhe takime personale për këshillim”, tha Branko Kostovski.

Ankesat qytetarët mund t’i dërgojnë në: [email protected] / [email protected].

Përndryshe, Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) ka rol këshillëdhënës, dhe si organizatë kujdeset për interesat e konsumatorëve, duke u dhënë këshilla dhe njohje të të drejtave ligjore të tyre. OKM i udhëzon konsumatorët deri te organi i duhur – Inspektorati Shtetëror i Tregut duke ua sqaruar procedurën nëpërmjet së cilës duhet të kalojnë që ta realizojnë të drejtën e tyre.

OKM-ja është pjesë procesit të përpilimit të Ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve dhe të Strategjisë nacionale për mbrojtje të konsumatorëve. Procedura është në rrjedhë, dhe Ligji pritet të miratohet në fund të vitit 2019. Meqë bëhet fjalë për një ligj plotësisht të ri, do të ketë ndryshim në shumë nene thotë kryetari i OKM.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button