Përveçse pa anesteziologë, “8 Shatori” ka ngelur edhe pa këllqe artificiale, për operacion pritet më shumë se gjysmë viti

Pacientët ankohen se me muaj të tërë, e disa edhe më shumë se gjysmë viti nuk mund të caktojnë operacione për vendosje të impianteve të këllqeve dhe gjunjëve në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” në Shkup dhe se listat e pritjes janë duke u bërë edhe për në vjeshtë, ndërsa nga spitali thonë se operacionet po prolongohen vetëm për shkak të numrit të pamjaftueshëm të anesteziologëve, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk

Pas ankesave nga pacientët, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dje tha se ai është i njoftuar me problemin e mungesës së materialit osteosintetik për intervenimet kirurgjike dhe ka rekomanduar që posa të arrijnë implantet e porositura për këllqe dhe gjunjë salla e operacionit të hapet edhe në ndërrimin e dytë, për të reduktuar listat e pritjes.

“Tani ka një procedurë për prokurimin e këtyre materialeve osteosintetike deri në fillim të qershorit. Në periudhën që vijon, duhet të bëhet mekanizëm përkatës i punës, qoftë edhe me organizim të punës në ndërrimin e dytë, që sa më shpejt që mundet të reduktohen listat e pritjes”, tha Filipçe dje gjatë prezantimit të autoambulancave të reja.

Drejtori i spitalit Kristijan Kostov tha, për SAKAMDAKAZHAM.MK, se në rastin e departamentit të ortopedisë problem nuk është mungesa e materialeve, por numri i vogël i anesteziologëve dhe se ajo reflekton edhe në punën e reparteve të tjera kirurgjikale.

“Materialet për ortopedi kishte deri para disa ditësh. Është duke u realizuar prokurimi i tyre dhe deri në fund të muajit kjo do të përfundojë. Megjithatë problem nuk janë materialet, por anesteziologët. Tani kemi 9 anesteziologë në 50 kirurgë dhe s’mund të arrijnë”, thotë Kostov, duke shtuar se Departamenti për kirurgji abdominale s’ka asnjë problem.

Javën e kaluar, kur informoi për atë se si ia kishte dalë spitali të përballet me numrin e zmadhuar të intervenimeve gjatë vizitës së papës, Kostov tha se në funksion janë pesë nga dhjetë salla, se problemin me infermieret e kanë zgjidhur me punësime të reja pune, ndërsa ngecje në programin e degëve të caktuara kirurgjikale, siç është ortopedia, ka për shkak të mungesës së anesteziologëve. Me atë rast ai nuk përmendi probleme me protezat, edhe pse pacientëve, të cilët presin për operacion të këllkut ose gjurit ka një kohë që nga spitali u thonë se duhet të kenë durim disa muaj sepse implantet janë harxhuar, ndërsa të reja do të ketë kur të përfundojë procedura e tenderit, e cila, nëse prolongohet me ankesa dhe përgjigje ndaj ankesave, mund të përfundojë më së shpejti në muajt e verës.

Spitali “8 Shtatori” ka kohë të gjatë që ka probleme në punë, për shkak të mungesës së stafit dhe fluksit të madh të pacientëve. Para dy muajsh u prishën të dy tomografët kompjuterik, të cilët rishtazi janë vënë në funksion sërish. Për shkak të mungesës së anesteziologëve, sallat e operimit nuk përdoren njëkohësisht dhe çdo ditë pune. Edhe pjesa spitalore e departamentit të ri të traumatologjisë, ku ishin të vendosur të lënduarit nga fatkeqësia me autobusin e përmbysur te Llaskarca, më 13 shkurt, tani është e zbrazët përsëri.

Drejtori i spitalit Kostov qysh në shkurt të këtij viti paralajmëroi se nga dhjetë sallat punojnë vetëm pesë, se numri i operacioneve është përgjysmuar, por që vetëm aq mund të arrihet vetëm me nëntë anesteziologë. Ai njoftoi se dy specializantë janë duke i përfunduar specializimet dhe se së shpejti do të kthehen në spital, e pas kësaj duhet të zvogëlohet koha e pritjes për operacion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button