Të udhëtosh pak dhe të ëndërrosh shumë …

Kur vete njeriu në një vend të huaj, mendja mund t’i degdiset nëpër thellësi kohërash. Mund t’i kujtohen njerëz të shquar të atij vendi: dijetarë, filozofë, poetë, burrështetas. Mund t’i kujtohen monumente madhështore, heronj, marrëzi historie…

Kur njeriut të librave ja përmend Greqinë, atij mund t’i kujtohet ndonjë Orfe, që zbuste edhe egërsirat me këngën e tij.

Mund t’i kujtohen poetë mitikë, prej të cilëve nuk dimë asnjë varg dhe mbase vargjet e tyre duhet t’i kërkojmë nëpër librat e të tjerëve.

Mund t’i kujtohet ndonjë sfinks njeringrënës, që nuk e duronte fjalën “Njeri”.

Mund t’i kujtohet ndonjë Edip, që kërkonte fajtorin pa e ditur se fajtori ishte vetë ai.

Mund t’i kujtohet ndonjë aed i verbër me emrin Homer, ndonjë Akil këmbëshpejtë dhe krenar, që nuk luftonte për plaçkë, por për lavdi.

Mund t’i kujtohet ndonjë Odise me shikim dhelpre, që e dinte se atë që e bënte mendja, nuk e bënte shpata.

Mund t’i kujtohet ndonjë Nestor dijeshumë, ndonjë Agamemnon mizor, ndonjë Helenë, që me hiret e saj i mahniste edhe pleqtë e Trojës.

Mund t’i kujtohet ndonjë Hesiod teogonie, ndonjë Safo, Pindar apo Tespis, ndonjë Eskil, Sofokli, Euripid apo Aristofan, ndonjë Platon apo Aristotel, ndonjë Sokrat apo Diogjen, ndonjë Arkimed, Tales apo Pitagorë, por edhe ndonjë Elitis, Kavafis, Seferis apo Kazantzakis.

Në Itali mund t’i kujtohen të tjerë emra: të artit, politikës, oratorisë. Mund t’i kujtohet ndonjë Plaut, Katon, Katul, Virgjil, Horac, Ovid, Senekë, Marcial apo ndonjë Tit Liv, që shkruante edhe për Skardusin.

Mund t’i kujtohet ndonjë orator si Ciceroni, ndonjë Cezar, por edhe udhëheqësit e marrë si Neroni apo Kaligula. Njëri që dogji Romën, e tjetri që shpalli kalin e tij senator.

Mund t’i kujtohet ndonjë Leonardo da Vinçi, që pikturoi buzëqeshjen më të mistershme në fytyrën e një gruaje apo ndonjë Mikelanxhelo, që mediton për heshtjen e Davidit. Se thonë: kur e përfundoi kryeveprën, Davidin, ku derdhi gjithë gjeninë e tij, ndjeu se skulpturës i mungonte diçka, prandaj i foli: “Fol David, përse nuk flet!”.

Mund t’i kujtohet edhe poeti që besonte se deri te parajsa udhëtojmë nëpërmjet dashurisë; se vetëm shpirtrat e panjollosur mund të ngjiten në qiell dhe ky është Dantja, që italianëve ua dha gjuhën e kultivuar.

Mund t’i kujtohet ndonjë Bokaço ose ndonjë Petrarkë i përvëluar nga dashuria për Laurën.

Mund t’i kujtohet ndonjë Pirandelo, Dino Buxat apo një erudit i quajtur Umberto Eko.

Të tjerë emra mund t’i kujtohen në Spanjë. Për shembull: Miguel de Servantesi, rob i dikurshëm i piratëve shqiptarë, që sajoi romanin e romaneve, “Don Kishotin”.

Në Angli mund t’i kujtohen shumë emra, por patjetër do t’i kujtohet njëfarë Shekspiri, që bënte kryevepra me fantazma, hakmarrje, tradhtira e xhelozira ose ndonjë Bajron, që ishte mahnitur nga traditat dhe kostumet e një populli të harruar.

Të tjerë emra do t’i kujtohen në Francë, të tjerë në Gjermani, të tjerë në Kolumbi. Në Kolumbinë e plantacioneve të drogës, mund t’i kujtohet një Gabriel Garsia Markes, që shkruante për vrasje të paralajmëruara, për histori me paskuinë, për dashuri në kohëra kolere, për vetmi njëqindvjeçare, për dashurinë dhe demonë të tjerë.

Kudo ku shkel njeriu i librave sheh diçka që e ka ditur pa e vizituar. Madje, mund të dijë për një vend më shumë se sa të ngujuarit aty. Dhe çdo vend ka diçka magjike dhe sakrale. Ka shumë mundësi, thotë Mirçea Eliade, se zgjedhja e një vendi për të jetuar është bërë nga prirjet magjike e sakrale…

Njeriu i ngulfatur nga rutina ka nevojë për udhëtime, por udhëtarët dallojnë. Ka udhëtarë. Ka turistë. Ka edhe pelegrinë. Sipas Daniel Anri Pazhosë, pelegrinazhi është akt kulturor, është kërkim i transcendencës. Turisti e zëvendëson kërkimin shpirtëror me të kërkuarit e dashurisë. Udhëtari kërkon të paparashikueshmen (një ndjenjë e çdo udhëtari).

Udhëtimi nuk është kalim prej një vendi në vendin tjetër. Udhëtimi është kalim prej një kulture në kulturën tjetër. Prej një qytetërimi në një qytetërim tjetër. Madje, në një qytetërim të harruar. Udhëtimi mund të jetë edhe kalim i pragut ndërmjet sakrales dhe profanes. Të udhëtosh do të thotë të provosh ta shohësh jo vetëm atë që duket, por edhe të padukshmen. Ai që udhëton i lexon edhe kohërat e lashta. Ai mahnitet prej dorëshkrimeve të moçme ose prej altarëve, që i kanë shpëtuar tiranisë së kohës.

Udhëtimi është ilaç edhe kundër paragjykimeve ndaj një kombi apo vendi. Konradi thotë se, përderisa të tjerët mendojnë keq për një komb apo për një vend, udhëtari i shikon fotografitë…

Unë kam udhëtuar pak, por kam ëndërruar shumë. Kam udhëtuar pak, por kam njohur kultura nëpërmjet librave. Dhe bota ka plot bukuri, të dukshme e të padukshme, që janë formësuar prej shekujve. Në botë ka njerëz që ecin pak dhe udhëtojnë shumë dhe ka udhëtarë që lëvizin shumë dhe nuk dinë të shohin. Të udhëtosh do të thotë të dish ta lexosh një vend. T’i kërkosh aty dijet e nëndheshme, që gjenden nëpër muze, vende historike, biblioteka, arkiva, teatro.

Thonë se bota është “fshat global”. Thonë se në periferi, në provincë, ke gjithçka që e gjen në metropol. Megjithatë, ka gjëra që nuk i gjen kudo. Ka gjëra që i kemi vetëm ne dhe nuk gjenden askund tjetër. Ashtu sikurse ka gjëra që nuk do t’i kemi asnjëherë në vendin tonë…

Kur zhvendosem nga vendlindja ime, kur jam larg, e njoh më mirë vendin tim. Bëhem më i vetëdijshëm për bukuritë e tij. Më kujtohet se si kalojmë pranë luleve dhe i shkelim, në vend se t’i shijojmë. Kur jam larg, veçanërisht në vendet ku vlen kryefjala e famshme: “jeto dhe lëri tjerët të jetojnë”, e ndjej, gjithashtu, se sa jemi të ngulfatur nga prangat e traditës. Prej së largu e shoh më qartë botën time të vogël, të cilën nuk kam forcë ta ndryshoj. Ngushëllohem duke shkruar. Fus një letër në shishe dhe e hedh në det…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button