OKB:Të ndërpritet ndihma për ushtrinë e Mianmarit

Misioni i pavarur ndërkombëtar i OKB-së për vlerësimin e fakteve në Mianmar i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërpresë të gjitha ndihmat financiare dhe mbështetjet tjera për ushtrinë e Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i misionit Marzuki Darusman, në një deklaratë me shkrim pas vizitës 10 ditore në Bangladesh, Malajzi, Tajlandë dhe Indonezi tha se komandantët e ushtrisë së Minamarit duhet të izolohen dhe të gjykohen nga një gjykatë e besueshme për krimet si gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Kundër Mianmarit janë të nevojshme masat ndërkombëtare”, tha Darusman i cili ka nënvizuar se ky vend nuk ka treguar përpjekjet e mjaftueshme dhe nuk ka bërë atë që është e nevojshme për t’i dhënë fund konflikteve dhe se qeveria nuk ka mundur të mbrojë të drejtat e njeriut për rreth 1 milion muslimanë të Arakanit që kanë qenë të detyruar të largohen në vendet fqinje.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërpresë të gjitha ndihmat financiare dhe mbështetjet tjera për ushtrinë e Mianmarit.

“Nuk është hedhur asnjë hap për zgjidhjen e krizës”, tha Darusman, i cili ka njoftuar se situtata në Mianmar vazhdon të mbetet e njëjtë.

– Muslimanët e Arakanit i kanë përcjellë misionit kërkesat e tyre

Pavarësisht se detyra e tij përfundon në muajin shtator, Darusman, gjatë vizitës të tij në kampe u ka premtuar muslimanëve të Arakanit se të gjitha informacionet, dokumentet dhe provat do t‘ia përcjellë mekanizmit të ri të OKB-së që do të formohet në lidhje me krizën e Mianmarit.

Gjatë vizitës, edhe anëtarët e tjerë të misionit gjithashtu kanë ndarë me refugjatët e Arakanit, punimet e tyre dhe informacionet e fundit rreth përpjekjeve të tyre për gjykimin e gjeneralëve në ushtrinë e Mianmarit. Ndërkohë që edhe muslimanët e Arakanit u kanë përcjellë anëtarëve të misionit kërkesat e tyre për sa i përket arsimimit, drejtësisë, punës dhe kthimit të tyre të sigurt në Mianmar.

Që prej një kohe të gjatë kreu i misionit të OKB-së, Darusman, kërkon zbatimin e embargos së armëve ndaj Mianmarit dhe vendosjen e sanksioneve kundër përgjegjësve.

Në shtatorin e vitit të kaluar me një propozim të miratuar në Këshillin e Drejtave të Njeriut të OKB-së, u vendos që të formohet një “mekanizëm i pavarur” për mbledhjen e provave për gjenocidin dhe shkeljet tjera të të drejtave të njeriut me të cilin përballen që nga viti 2011 muslimanët e Arakanit në Mianmar si dhe përgatitjen e një dosje gjykimi që do të bëhet në të ardhmen.

– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit 

Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve, ku si pasojë e ngjarjeve mijëra persona, nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.

Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.

Sipas Kombeve të Bashkuara, që nga 25 gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 745 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë vërtetuar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit, e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më tani nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë lidhur me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut, në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit pa sigurimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt, shprehin shqetësimin se kjo do të shkaktojë një fushatë të re të spastrimit etnik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button