Politano-Perisic, Interi rikthehet te fitorja dhe rimerr vendin e 3-të

Pas 3 barazimesh radhazi Interi rikthehet te fitorja në Serie A. Zikaltrit bënë detyrën ndaj Chievos në San Siro duke fituar 2-0 në një ndeshje që nuk rezultoi aq e lehtë sa në letër, megjithatë falë këtij suksesi skuadra e Spallettit rimori vendin e 3-të, duke zbritur në të 4-in Atalantën dhe në të njëjtën kohë e thelloi sërish në 4 pikë avantazhin ndaj Romës dhe Milanit, dhe duke parë favorin që ka ndaj tyre në ndeshjet direkte për të siguruar një vend në Champions League sezonin e ardhshëm, Interit do t’i mjaftonin edhe 2 barazime në dy ndeshjet e fundit ndaj Napolit dhe Empolit, njofton Supersport.al.

Pjesa e parë nuk ishte shumë pozitive për Interin që përveç një tentative të Perisic nuk kishte asgjë për t’u shënuar deri në minutën e 39-të, kur Politano me një goditje teknike nga limitet e zonës kaloi në avantazh zikaltrit. Me një Icardi titullar por totalisht në hije dhe që nuk ngjason fare me bomberin e sezonit të kaluar, për të blinduar fitoren e Interit mendoi Perisic që ishte edhe lojtari më aktiv në fushë për skuadrën e Spallettit.

Pasi pa që bashkëkombasi i tij Semper t’i mohonte një gol të sigurtë, Perisic goditi shtyllën në minutën e 65-të. Chievo ngeli me një lojtar më pak në të 76-ën pas kartonit të dytë të verdhë që mori Rigoni dhe administrimi i rezultatit u bë më i thjeshtë për vendasit. Gjithsesi golin që aq shumë e kërkoi dhe golin që qetësoi trajnerin Spalletti në stol dhe të gjithë tifozët zikaltër në San Siro, Perisic e gjeti në minutën e 86-të pas një top të kthyer nga shtylla në goditjen e Cedric. Ky ishte goli i 8-të në këtë kampionat për kroatin ndërkohë që Interi me këtë fitore u ngjit në kuotën e 66 pikëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button