Dhunë mes policisë dhe protestuesve në Tiranë

Protestuesit janë përplasur me Policinë e Shtetit në Tiranë gjatë protestës të organizuar nga opozita e Shqipërisë, e cila mblodhi mijëra qytetarë nga gjithë Shqipëria me qëllim rrëzimin e Qeverisë aktuale, transmeton REL.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se 13 policë janë lënduar “nga dhuna ekstreme e organizuar dhe drejtuar në mënyrë politike”.

Turma e protestuesve ka hedhur shishe molotovi në drejtim të Kryeministrisë dhe ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit. Ata, në drejtim të këtyre ndërtesave hodhën edhe mjete të forta dhe ngjyrë të zezë.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe vazhdimisht u ka bërë thirrje që të largohen dhe mos të dëmtojnë pronën publike.

Më pas, protesta u zhvendos te ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë, ku përsëri hodhën shishe të shumta molotovi dhe fishekzjarrë në drejtim të ndërtesës dhe kordonit të policisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë përdorur gazin lotsjellës dhe autobote uji për të larguar protestuesit e dhunshëm. Ata kanë bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit për të përmbajtur protestuesit të cilët vazhduar të hedhin gurë e mjete tjera të forta në drejtim të policisë.

Në orët e vona të mbrëmjes përplasjet vazhduan edhe para Drejtorisë së Policisë, pas arrestimit të sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi. Dhjetëra protestues të maskuar hodhën pllaka dhe gurë ndaj policisë, duke kërkuar lirimin e zotit Dollapi. Policia u kundërpërgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës.

Për përshkallëzimin e situatës gjatë protestës ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili iu ka bërë thirrje palëve të ruajnë qetësinë.

“Presidenti i Republikës Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në një deklaratë të shkurtër për media nga Presidenca e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama reagoi për protestën e opozitës, duke thënë se zjarri ndaj Kryeministrisë nuk i bën dëm aspak Qeverisë, por i bën shumë dëm Shqipërisë.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar dhunën e pranishme gjatë protestës.

“Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Kjo është protesta e 12 në radhë që nga 16 shkurti kur partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u larguan nga Parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e tyre si deputetë në Kuvend.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që garanton organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre.

Në anën tjetër, Qeveria në krye me Edi Ramën ka thënë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button