Në kuvendin e RMV-së u mbajt seanca me temë “Lufta kundër dezinformatave në Evropën Juglindore”

Komisioni i Përgjithshëm për Drejtësisë, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore, mbajti seancë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me temë “Lufta kundër dezinformatave në Evropën Juglindore.”

Në fillim të pranishmëve iu drejtua nënkryetari i Kuvendit Goran Misovski, i cili vuri në dukje se bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrësve në Proces është parakusht kryesor për dialog të suksesshëm politik dhe diplomatik, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, për forcimin e stabilitetit në rajon dhe demokratizimin e mëtejshëm të shoqërive tona.

“Liria e fjalës dhe qasja e lirë në informata janë të drejta themelore të njeriut, ndërsa informimi i lirë, i paanshëm dhe objektiv mediatik është një nga shtyllat kryesore të çdo shoqërie demokratike. Dezinformatat jo vetëm që e disbalancojnë aftësinë e qytetarëve për të marrë vendime të shëndosha, por edhe e prishin besimin në institucionet dhe në mediat digjitale dhe tradicionale. Duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta për të luftuar dezinformimin dhe për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për të neutralizuar ndikimin e tij negativ. Por në përgjigjen për të parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme, duhet pasur kujdes që të mos cenojmë të drejtën e përdorimit të lirë të një burimi të informacionit dhe lirinë e fjalës, si dhe t’u shmangemi masave dhe aktiviteteve që mund të klasifikohen si censurë”, tha Misovski.

Republika e Maqedonisë së Veriut, shtoi më tej Misovski, përpiqet për të nxitur dhe për të mbështetur gazetarinë hulumtuese dhe rritjen e profesionalizmit në gazetari, si dhe sigurimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm të financimit të servisit publik, si sistem kryesor i informacionit për ofrimin e informatave të sakta, në kohë dhe të besueshme për qytetarët.

Robert Popovski, ministër pa resor i ngarkuar për komunikime, raportim dhe transparencë, në fjalimin që mbajti theksoi se fenomeni i lajmeve të rrejshme e hap çështjen mbi ardhmërinë e gazetarisë në kohën digjitale në mënyrën që tanimë është alarmante.

Duke e shfrytëzuar teknologjinë e zhvilluar, dezinformatat i ndryshojnë shoqëritë tona, shkaktojnë konflikte, urrejtje, paranojë, komplot. Në kontekst rajonal, lajmet e rrejshme që janë të orientuara në mosdurimin etnik, politik dhe fetar janë armiku i përbashkët i trendit të pajtimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe europeizimit të tyre përfundimtar.

Ministri Popovski theksoi se transparenca aktive është armiku më i keq dhe përkatës i lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave.

“Transparenca dhe qasja në të dhënat e hapura, është zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në pajtim me parimet e veta themelore për transparencë dhe inkluzivitet, gjatë miratimit të ligjeve dhe ndryshimeve ligjore, qëllimi i Qeverisë është të dëgjohet zëri i profesionistëve mediatikë. Efektet e këtyre politikave japin rezultate: Maqedonia e Veriut u ngrit për 14 vende përpara në indeksin e fundit botëror për lirinë e medieve në Raporterë pa Kufij për vitin 2018, dhe prej vendit të 109-të në vitin 2017, tani është në vendin e 95-të. Ky është rezultati më i mirë për lirinë e medieve në Maqedoninë e Veriut në pesë vitet e fundit. Në kohërat e errëta paraprake, ishim në vendin e 123-të“, tha Popovski.

Në dy vitet e fundit, për herë të parë, pas 10 viteve paraprake, kemi më tepër tekste kritike sesa lëvdata dhe sugjerime për punën e Qeverisë, lidhur me liritë dhe të drejtat mediatike. Kjo Qeveri siguroi kushte për t’u dëgjuar zëri, e jo për të heshtur. Në kulmin e politikave të Qeverisë aktuale është koncepti i qeverisë transparente. ACTION SEE (projekti i financuar nga BE-ja) në hulumtimin e fundit e rangoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në vendin e parë dhe e shpalli qeveri më transparente në mesin e qeverive të rajonit.

„Çelësi është në duart e gazetarëve profesionistë. Të vetërregullohen dhe t’u përmbahen standardeve etike dhe profesionale. Qeveritë dhe të gjitha subjektet politike kanë për detyrë t’i mbështesin këto standarde. Qeveria iu qas edhe ndryshimeve dhe plotësimeve të rregullativës ligjore me qëllim të profesionalizimit dhe departizimit të trupit rregullator dhe servisit radiodifuziv publik. Në përmbajtjen dhe esencën e ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara janë rekomandimet e integruara të organizatave të gazetarëve dhe organizatave mediatike, të cilat paraprakisht ishin injoruar, ndërsa në mënyrë plotësuese i inkorporuam edhe rekomandimet kryesore të ekspertëve të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së lidhur me zvogëlimin e ndikimit politik në mediet, servisin publik dhe rregullatorin mediatik“, tha në fjalimin e vet, ministri Robert Popovski.

Prezantime lidhur me temën patën edhe kryetari i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, Xhevat Ademi dhe Zoran Popov, përfaqësues i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button