Shilegov paska qenë përgjegjës për 187 nga 1000 drunj në Shkup dhe është i befasuar nga ku pikërisht tani ky interes për “të robëruarit”

Vetëm 187 nga 1.000 drunj në territorin e Shkupit, trungjet e të cilëve janë të betonuara ose shtruara me asfalt ose të dëmtuara në ndonjë tjetër mënyrë dhe për këtë arsye iu kanoset tharja, janë nën kompetencë të qytetit dhe për “çlirimin” e tyre autoritetet e qytetit do të punojnë deri në fund të këtij viti, transmeton Meta.mk, përcjell Portalb.mk. 

Këtë e njoftoi në pres konferencën e sotme me rastin e aksionit “Dru për çdo fëmijë”, kryetari i Shkupit Petre Shilegov, sipas të cilit qyteti është kompetent vetëm për ato drunj që gjenden në rrugët e qytetit, ndërsa drunjtë tjerë qenkan përgjegjësi e komunave.

Duke u përgjigjur në pyetjen e “Meta” se deri ku janë autoritetet e qytetit me zbatimin e detyrimeve të ndërmarra me nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim me Fakultetin e pylltarisë në janar, me ç’rast ai, në emër të Qytetit të Shkupit e mori obligimin për të çliruar të gjithë drunjtë mbijetesa e të cilëve është rrezikuar me punime ndërtimore dhe infrastrukturore, Shilegov nuk dha numër të saktë të drunjve të çliruar deri tani.

“Qyteti deri tani ka çliruar diku 15 për qind dhe pres që deri në fund të këtij sezoni krejt ato që janë nën kompetencë të qytetit, rrugët e qytetit do të përfundojnë, ashtu që vitin e ardhshëm do të mund t’iu ndihmojmë  institucioneve tjera që kanë drunj të bllokuar, për të përmbushur këtë proces së bashku”, tha Shilegov.

Shumica e drunjve tashmë të çliruar, sipas kryetarit të Shkupit, gjenden në rrugën e Ruzveltit.

I pyetur se kur do të çlirohen drunjtë tjerë, për të cilët ai pohon se nuk janë nën kompetencën e tij, Shilegov u përgjigj që shpreson se kjo do të ndodhë deri në fund të vitit të ardhshëm dhe se qyteti do t’iu ndihmojë komunave dhe institucioneve, siç tha, nën kompetencën e cilave janë drunjtë  tjerë, për të përfunduar pjesën e tyre të punës.

“Njëkohësisht do të insistoj te komunat që të kenë kujdes kur të hartojnë projektet e ardhshme të rrugëve dhe trotuareve”, tha kryetari i Shkupit, duke shtuar se është befasuar me interesin për këtë temë, sepse fenomeni i robërimit të drunjve është zhvilluar gjatë 12-15 vitet e kaluara dhe asokohe s’kishte pasur reagime përse ishin robëruar.

I pyetur se përse qyteti nuk angazhohet më intensivisht për çlirimin e drunjve të robëruar, nga të cilat, sipas mendimit të ekspertëve rreth 200 të drunj të mëdhenj, të degëzuar do të vdesin këtë, ose më së voni vitin e ardhshëm, nëse nuk iu çlirohen trungjet dhe sistemi i rrënjëve për furnizim me ujë dhe oksigjen, Shilegov tha: “nuk është i saktë konstatimi se janë duke vdekur, por se është çrregulluar vegjetacioni i tyre” dhe shtoi se me aksionin e ndërmarrë janë duke u çliruar drunjtë prioritarë të shënuar në hartën e Fakultetit të pylltarisë, për të parandaluar dëmtim më afatgjatë.

Ligji për Qytetin e Shkupit, në nenin 10, paragrafi 4 thotë se qyteti është kompetent për mirëmbajtjen e gjelbërimit në rrugët magjistrale dhe akumuluese, ndërsa në nenin 15 paragrafi 4, mirëmbajtja e gjelbërimit në rrugët e shërbimit dhe rrugët e banimit janë në kompetenca të komunave. Por në të njëjtin ligj, si detyrim i qytetit qëndron edhe mbrojtja dhe marrja e masave për mbrojtjen e mjedisit në tërë territorin e Shkupit, me ç’rast, natyrisht, edhe drunjtë janë pjesë e natyrës që qyteti e ka për detyrim t’i mbrojë.

“Është krejtësisht e papërgjegjshme nga Qytetit të Shkupit dhe kryetari Shilegov që të distancojnë veten nga çlirimi i mbi 1,000 drunjve të furur dhe të robëruar, drunj të vjetër më tepër dekada, duke i kufizuar kompetencat e veta vetëm për 178 drunj”, thotë Tatjana Çakulev nga “O2 Iniciativa”.

Sipas ligjit për Qytetin e Shkupit, ka organ koordinues me të cilin kryeson vetë Shilegovi, e në të cilin anëtarë janë të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit pikërisht për të koordinuar aktivitetet e përbashkëta në tërë territorin e qytetit, kështu që është krejtësisht e mundur të bëhet koordinimi i një aksioni të përbashkët brenda një kohe relativisht të shkurtër dhe pa shumë financa e pa shumë angazhim, të çlirohen shumë më tepër drunj, nga të cilët të paktën 200 deri në 300 janë aq të rrezikuar sa që gjatë të nxehtit të kësaj vere do të vdesin.

Ekologët përkujtojnë se autoritetet e qytetit e kanë për detyrë që tashmë të reagojnë edhe për shkak se ndërmarrja e tyre shtetërore “Parqe dhe gjelbërim”, si kompetente dhe përgjegjëse për mirëmbajtje të gjelbërimit urban në Shkup ka  dështuar në mirëmbajtjen e tyre, por dhe në alarmimin e qeverive lokale që drunjtë janë të rrezikuar me punime ndërtimore të realizuar në mënyrë të parregullt.

“Çdo përjashtim donë të thotë edhe mungesë e vullnetit për çlirimin e 1.000 drunjve që kanë potencial jashtëzakonisht të madh për të pastruar ajrin në qytet dhe lënia, me vetëdije, që këto drunj të vdesin”, thonë nga “O2 Iniciativa”.

LEXO: Drunjtë e Shkupit edhe më tutje vdesin të robëruar në beton, megjithëse Shilegov premtoi se do t’i “çlirojë”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button