Inspektorati: S’ka as kompjuterë as pajisje, prandaj s’ka as mësim për informatikë në shkolla

Për shkak të teknologjisë jofunksionale të informacionit, mësimdhënësit s’janë në gjendje të realizojnë mësimin e TIK. Kjo është konstatuar në raportin e fundit të inspektorëve të arsimit, të cilët kanë rekomanduar që shkollat të gjejnë mënyrë për të zgjidhur problemin me përdorim më të madh të kompjuterëve në orët e mësimit, transmeton Meta.mk, përcjell Portalb.mk. 

Duke pasur parasysh se shkollat s’​​janë në gjendje të blejnë pajisje kompjuterike që në mënyrë të pavarur ta zgjidhin këtë problem, pyetja është se kur Ministria e arsimit dhe shkencës planifikon të blejë kompjuterë për nxënësit?

Ministri Arbër Ademi ka theksuar se në buxhet s’ka para për blerjen e pajisjeve të reja, ndërsa dihet se pajisjet e vjetra nga projekti “Kompjuter për çdo fëmijë” janë jo funksionale dhe të amortizuara, ndërsa një pjesë e mirë e pajisjeve që moti është në mbeturina.

“Në orët e informatikës, duhet t’i mësojmë fëmijëve si të bëjnë aplikacione, si të bëjnë teknologji dhe si të përdorin disa gjëra. Por kompjuterët janë të nevojshëm edhe për lëndët tjera. Fëmijët duhet të përdorin teknologji për t’i bërë orët e mësimit më interesante. Fokusi kryesor i mësimdhënies në botë është krijimi, që nxënësit të mund vetë të krijojnë gjëra të ndryshme. Krijimi është niveli më i lartë i njohurive sipas taksonomisë së Blum. Nëse s’ka TIK, arsimi kreativ, krijimi dhe mësimi përmes hulumtimit nuk mund të zbatohet. Mësimi aktiv që nxitet është shumë më produktiv me TIK”- thotë Mile Jovanov, kryetar i Shoqatës së informatikanëve dhe profesor në Fakultetin e shkencave dhe inxhinierisë kompjuterike.

Ai theksoi se nëse fëmijët në shtëpi janë të rrethuar me TV të mençur, video lojëra, telefona të mençur, tableta atëherë as mësimdhënia nuk guxon të jetë larg këtyre tendencave.

“Pa teknologji, orët e mësimit janë të mërzitshme. Shteti duhet të blejë pajisje të reja, por edhe të investojë në cilësinë e mësimdhënësve në trajnime, në rrjetëzim” – shtoi Jovanov.

Mësimdhënësit e informatikës shpesh improvizojnë në orët e mësimit që të jenë në gjendje t’ua përafrojnë materien nxënësve. Ata shpesh mbajnë laptopë dhe pajisje të tjera nga shtëpia, që të mund ta shpjegojnë praktikisht atë që e ligjërojnë. Nxënësit shpesh i përdorin telefonat e mençur të tyre për aplikacione ose kur kanë nevojë për të kërkuar diçka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button