Pse nuk dola në ngjarjen e vizitës së Papës

Papa Francisku erdhi në Shkup.

Pa dyshim kjo ishte njëra ndër ngjarjet më të mëdha për Maqedoninë pas mëvetësimit.  Një ngjarje që ndodh një herë ose nuk ndodh kurrë.

Po unë nuk dola të jem pjesë e kësaj ngjarjeje.

Jo që nuk doja të dal, ta dëgjoj Papën e ta shoh pritjen madhështore që e kishin përgatitur institucionet shtetërore. Doja shumë sepse mesazhet që sillte papa nuk ishin fjalë boshe. Ato mesazhe duhet lexuar e stërlexuar. Megjithatë një gjë kuptohet pa i lexuar në thellësi ato:

Ardhja e papës tregon se Maqedonia është një vend i rëndësishëm  në konstalacionet e ndodhive të kësaj kohe, e cila nuk është kohë e kthjelltë, por ka mbetur si gjithmonë e turbullt në këto anë dhe me shumë të papritura të mundshme.

Megjithatë kërshëria e bëri të veten. E ndoqa vizitën e papës nga transmetimi televiziv.

E para punë që më ra në sy është se televizioni publik (as servisi në gjuhën maqedonase e as servisi në gjuhën shqipe) nuk e transmetuan vizitën, por ngjarjen (nuk po them eventin ose evenimentin, për shkak se ato janë barbarizma të cilave shqip u themi ngjarje) e mbuluan vetëm në terminet e lajmeve. Çudi! Televizioni që jeton nga paratë e buxhetit shtetëror, përkatësisht të popullit, nuk e merr përsipër ta transmetojë këtë ngjarje të madhe.

Por kësaj shtëpie i ndodhin shpesh këto mualife, sepse ka dëshirë të aktrojë opozitën. Ndoshta kryqëzohen shtizat politike diku në prapaskenë.

Edhe kjo është njerëzore. Dhe, pjesë e përditshmërisë me turbulenca të shpeshta politike të Maqedonisë.

Nejse.

Po ngjarja: ardhja e papës, itinerari i vizitës së tij kalonin si një spektakël i paparë ndonjëherë. Veçmas një siguri e organizuar përsosmërisht.  Një rregull i shkëlqyeshëm.

Megjithatë nuk ndjeja ndonjë pishmanllëk pse nuk dola. Dhe, pse nuk kërkova biletë.

Mendoj se kisha arsye. Them se arsyeja ime ishte e fortë.

Nuk  mund të isha pjesë e kësaj ngjarjeje për shkak se në të u përjashtua gjuha shqipe.

U përjashtua gjuha e Nënës Terezë, gjuha e të gjithë atyre priftërinjve që me shekuj e kanë mbajtur kishën katolike në Shkup dhe Ipeshkvinë Shkup – Prizren e cila ka luajtur rol të madh në jetën shpirtërore e kulturore të popullit shqiptar.

U përjashtua gjuha e Dom Gaspër Gjinit, i cili ishte prifti i fundit shqiptar dhe i fundit që meshën e mbajti shqip në Kishën katolike të Shkupit. E kam njohur mirë dom Gaspër Gjinin. Ka qenë njeri me virtyte të rralla dhe njeri që krahas besimit e donte shumë popullin shqiptar  dhe gjuhën shqipe. Ai vdiq në kulmin e punës së tij krijuese, në moshën 55 vjeçare, në vitin 1985, duke lënë pas vetes një varg veprash, ndër të cilat do ta kisha veçuar veprën Ipeshkvia Shkup- Prizren ndër shekuj, botuar në Zagreb në vitin 1992. Ai ka qenë bashkëpunëtor i revistës kultutore-fetare “Drita”. Pak para se të sëmurej  ma la një komplet të kësaj reviste kulturore-fetare, të cilin e ruaj si kujtim të veçantë.

U hesht kjo gjuhë edhe nga ana e atyre të cilët i prinë nismës së moçme për t’i dhënë hapësirën ligjore gjuhës shqipe në Maqedoni. Nuk u dëgjua as fjala shqipe e zëvendësministrit shqiptar që mori pjesë në këtë ngjarje.

Ishte po aq keq se u anashkalua edhe komuniteti katolik shqiptar i Shkupit, të cilit i takon merita për  historinë e kishës katolike në Shkup dhe i cili, fatkeqësisht po jeton nën trysninë e asimilimit.

As për këtë komunitet faktori politik shqiptar nuk e pa të udhës ta thoshte një fjalë para papës. E nuk e sheh të udhës t’i afrojë kah shumica shqiptare.

Komunitetin ortodoks shqiptar në Maqedoni e humbëm. I humbëm pasardhësit e Josif Bagerit. Tash po kalojmë me indiferencë edhe pranë proceseve të dhembshme të asimilimit të komunitetit katolik shqiptar.

Si shkojnë punët me largimin e rinisë sonë, edhe komuniteteve të tjera shqiptare nuk u troket e mira te dera.

Keq.

Prandaj nuk dola.

Kurse këta rreshta janë protesta ime për këto gjëra që na ndodhin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button