Mali i Zi, 69 vite burg për tentativën për grusht shteti

Liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviq, janë dënuar sot me nga 5 vite burg, pasi gjykata e Malit të Zi i shpalli fajtorë për rastin e përpjekjes për grusht shteti në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjykatësja Suzana Mugosha, në fjalën e saj gjatë shqiptimit të verdiktit, tha se qëllimi i organizatës kriminale ishte të frikësojë qytetarët duke shkelur strukturën kushtetuese të Malit të Zi, për të parandaluar hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Siç tha ajo, pjesëtarët e organizatës kanë qenë të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për veprimet e tyre, të vetëdijshëm se atë që po bëjnë është e paligjshme.

Me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi, të gjithë të akuzuarit e procesit në fjalë janë shpallur fajtorë.

Si rrjedhojë, shtetasit rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov u dënuan me 15 dhe 12 vjet burg. Dikiç Bratislav, një ish komandant i xhandarmërisë në Serbi, u dënua me 8 vjet burg, ndërsa Bogiçeviq Predrag dhe Ristiç Nemanja u dënuan me nga 7 vjet burg secili.

Shtetasit e Serbisë, Gjorgjeviq Srboljub dhe Dushiq Millan u dënuan me nga një vit e gjashtë muaj burg, Miliq Branka, e cila ndodhet në arrati, më saktësisht në ambasadën e Serbisë në Podgoricë, u dënua me 3 vjet burg, ndërsa Maksiq Dragan ka marrë një vit e nëntë muaj burg.

Shoferi i Frontit Demokratik, Mihailo Çagjenoviq u dënua me një vit e gjashtë muaj burg ndërsa Hristiq Kristina është dënuar me një vit burg.

Aktgjykimi i sotëm ka qenë i shkallës së parë, për çka të dënuarit kanë të drejtë ankese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button