Interpoli refuzon të publikojë urdhër-arrestin e Gruevskit për organizimin e sulmit në Kuvend më 27 prill

Interpoli, selia e organizatës ndërkombëtare policore, refuzon të publikojë urdhër-arrestin ndërkombëtar për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga burgu në nëntor dhe ka marrë azil në Hungari, transmeton Portalb.mk.

Këtë e tha sot kreu i Prokurorisë për krim të organizuar, Vilma Ruskoska, e pyetur se deri ku është procedura për ekstradimin e Gruevskit lidhur me hetimin për organizimin dhe porositjen e ngjarjeve të 27 prillit, 2017.

Në pyetje të gazetarit, ajo tha se Interpoli refuzon të publikojë urdhër-arrest ndërkombëtar edhe pas Nikolla Boshkovskit, i cili është gjithashtu një nga gjashtë të dyshuarit për planifikim dhe koordinim të sulmit në Kuvend.

“Nuk i di arsyet përse selia e Interpolit refuzon të publikojë dy urdhër-arrestet si për Gruevskin ashtu edhe për Boshkovskit. Vetëm kam informata se situata është e tillë”, u përgjigj Ruskoska në pyetjen nëse Interpoli e bën këtë për shkak se Gruevski ka marrë azil.

Boshkovski s’ka azil, por ai është qytetar i lirë në Greqi dhe jeton në Selanik, bashkë me Goran Grujevskin.

Ruskoska tha se aktualisht të dyshuarit dhe avokatët e tyre janë duke i shqyrtuar provat e lëndës dhe se ajo është duke i përfunduar hetimet dhe së shpejti do të ketë aktakuzë. Ajo shtoi se në rastin e mëparshëm, me 33 të akuzuarit për sulmin e organizuar në Kuvend, prej të cilëve gjysma janë amnistuar dhe gjysma janë dënuar, për pesë persona të paarritshëm të pandehur Interpol nuk ka bërë probleme dhe i ka publikuar pesë urdhër-arrestet ndërkombëtare të cilat ajo i ka kërkuar.

Gruevski iku nga dënimi me dy vjet burg për rastin e PSP “Tank”, ndërsa krahas tij dhe Boshkovskit në hetimin e Prokurorisë për krim të organizuar për 27 prillin të dyshuarit janë edhe Trajko Veljanoski, Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe Vlladimir Atanasovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button