I është shfuqizuar paraburgimi shtëpiak ish shefit të Inteligjencës , Sasho Mijallkovit

Këshilli Penal i Gjykatës Themelore e ka shfuqizuar paraburgimin shtëpiak të ish shefit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe i ka shqiptuar masë të kujdesit. Mijallkov njëherë në javë duhet që të paraqitet në Gjykatë, ndërkaq i është marrë pasaporta dhe ka ndalesë për kalim të kufirit me letërnjoftim, njofton Portalb.mk.

Nga Gjykata Penale informojnë se vendimi është miratuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që t’i shfuqizohet paraburgimi shtëpiak Mijallkovit.

Mijallkov ishte në paraburgim në Shutkë, pas shqiptimit të vendimit për “Titanik 2” për parregullsi zgjedhore për çka mori 3 vjet burg. Me vendim të Gjykatës së Apelit, vendimi i shkallës së parë është ndryshuar dhe Mijallkovit i është shqiptuar masë paraburgimi shtëpiak derisa të hyjë në fuqi vendimi, ndërkaq ky paraburgim nuk mund të zgjatë më shumë se 60 ditë.

Duke e pasur parasysh se afati 60-të ditor kalon më 06.05.2019-të, Këshilli duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka konstatuar se masa e paraburgimit duhet të shfuqizohet, kumtuan nga Gjykata Penale.

“Në bazë të nenit 481, paragrafi 4 nga Ligji për Procedurë Penale, kur gjykata shqipton vendim – dënim me burg, mundet që i akuzuari të dërgohet në paraburgim, gjegjësisht të mbetet në paraburgim, nëse ekzistojnë arsyet nga neni 165 paragrafi 1, 1.2 dhe 3. Paraburgimi në atë rast mund të zgjatë deri në hyrjen në fuqi të vendimit, por më së gjati deri më 60 ditë”, kumtojnë nga Gjykata.

Paraprakisht, Mijallkovit i është shfuqizuar edhe paraburgimi shtëpiak për rastin “Perandoria”.

MIjallkov përfundoi prapa grilave pas vendimit të shkallës së parë për rastin “Titanik 2” ku u dënua me 3 vjet burg. Me dënim me burg u dënua edhe Menduh Thaçi, i cili mori 3 vjet e dy muaj burg, Bedredin Ibraimi 4 vjet e gjashtë muaj dhe me nga 3 vjet, Vllatko Sajkovski, Sasho Srcev dhe Aneta Stefanovska.

Sipas akuzës, Sasho Mijallkov si drejtor i DSK-së dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, e ka shfrytëzuar ndikimin e tij dhe nëpërmjet Menduh Thaçit është marrë vesh që të kurdisin votim për rivotim në tre vendvotime në Strumicë në zgjedhjet lokale në vitin 2013.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button