Mezi tresh për shkollat ​​nga inspektorët e arsimit, vetëm gjashtë shkolla kanë marrë katërshe

2.77 është nota me të cilën inspektorët e arsimit e kanë vlerësuar cilësinë e procesit arsimor në shkollat e ​​Maqedonisë. Kjo thuhet në raportin e fundit të Inspektoratit shtetëror të arsimit, që ka të bëjë me cilësinë e mësimdhënies në arsimin fillor dhe të mesëm, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Inspektorati përgatit raporte të këtilla një herë në vit, për çdo vit të kaluar shkollor. Vlerësimi bëhet pas kontrollit paraprak të kurrikulave, arritjeve të nxënësve, mësimnxënies dhe mësimdhënies, mbështetjes për nxënësit, klimës dhe marrëdhënieve në shkollë, ndërsa vlerësimi bëhet në bazë të resurseve, si dhe menaxhimit e drejtimit të shkollës.

Notat merren përmes procesit të ashtuquajtur vlerësim integral. Vitin e kaluar shkollor, vlerësime të tilla janë bërë në 161 shkolla në vend, nga të cilat vetëm gjashtë janë vlerësuar me notën më të lartë “shumë mirë”. Njëqind e shtatë shkolla kanë marrë notën tresh, ndërsa 48 janë vlerësuar me “pjesërisht e kënaqshme” Këtë herë nuk ka asnjë shkollë e cila është vlerësuar, në bazë të treguesve të cilësisë së punës së institucioneve arsimore, me nivelin “nuk është i kënaqshëm”. Mesatarisht, niveli i punës së institucioneve arsimore është 2,7.

Si anë të dobëta, në raport janë shënuar gjetjet se shkollat ​​nuk punojnë për të përmirësuar arritjet e nxënësve, nuk i zbatojnë plotësisht ekskursionet për  nxënësit, ndërsa orët e lira dhe aktivitetet për projekte nuk i zgjerojnë njohuritë e nxënësve.

“Është konstatuar se shkollat ​​nuk bëjnë dallime ndaj nxënësve të gjinive të ndryshme dhe në bazë të përkatësisë sociale, me kohë përgatisin analiza për arritjet e nxënësve, por rezultatet e këtyre analizave nuk përdoren për të përmirësuar procesin mësimor dhe punën e mësimdhënësve, si dhe për të përmirësuar arritjet e nxënësve. Ndërkohë, konstatimi i njëjtë për anët e dobëta u gjend edhe në raportin e vitit të kaluar”, vuri në dukje Tome Spirovski, drejtori i inspektoratit, i cili është një nga autorët e raportit.

Raporti thekson se ka numër të vogël të klubeve sportive shkollore të regjistruara, të cilat gjithashtu nuk janë aktive. Për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, gjatë përgatitjes së planeve në ekipet inkluzive, shumica e shkollave nuk e kanë respektuar procedurën për të përfshirë prindin. Nuk realizohet mjaftueshëm as mësimi plotësues.

“Në të gjitha institucionet edukativo-arsimore, procesi arsimor planifikohet sipas plan-programeve arsimore (kurrikulave). Nëse mësimi plotësues realizohet deri në një masë të caktuar, në shumicën e shkollave orët shtesë janë anë e dobët. Shkollat ​​e respektojnë procedurën ligjore me rastin e shqiptimit të masave pedagogjike dhe gjatë transferimit të nxënësve. Në nivel të të gjitha shkollave fillore është vërtetuar se nuk përdoren teste të standardizuara për regjistrim të fëmijëve në klasën e parë, me qëllim që të ketë harmonizim dhe regjistrim sipas kushteve dhe kritereve të njëjta”, thuhet në raport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button