I thelli Dyxhane, shkollari autodidakt

Këtyre ditëve shtëpia botuese e re tetovare “Ajan Books” nxori në tregun e botimeve veprën “Motto” (132 fq.) të autorit të mirënjohur turk Dyxhane Xhyndiogllu (1962, Stamboll), që në kapakun e pasëm bart një thënie me peshë, një perlë të vërtetë urtësie: “O sa mirë me qenë njeri”.  “Motto” është një përmbledhje thëniesh të shkurtra por të thella të shkrimtarit, mendimtarit, gjuhëtarit, filozofit, “klishethyerësit të së djathtës”, “njeriut të shqetësuar” (“intelektualizmi dhe shqetësimi shkojnë bashkë”).

Autori në fjalë në  vitin 1978, si gjashtëmbëdhjetëvjeçar burgoset për shkak të përfshirjes në ngjarje politike si nxënës i shkollës së mesme, ku i jep fund arsimimit zyrtar dhe më pas, gjatë gjithë jetës, vazhdon të ndërtohet intelektualisht si autodidakt. Atëkohë ishte i pasionuar pas pikëpamje nacionaliste, kurse më vonë, në periudhën pas grilave mësoi bazat teorike dhe praktike të fesë. Xhyndiogllu nisi të shkruajë në vitin 1980 kur në gazetën Hergün (Çdo ditë) i botohet artikulli i parë “Lufta jonë: kundër rendit profiter”. Publikimet e tij të para përqendroheshin te disiplinat fetare – të cilat Xhyndiogllu mundohej t’i kuptonte përmes logjikës, linguistikës dhe hermeneutikës – dhe tekritika moderne e tyre.

Më pas është marrë me relacionet fe-shkencë dhe fe-politikë në kontekstin e historisë së re, duke trajtuar edhe tema të filozofisë, teologjisë, psikologjisë, misticizmit, letërsisë, përkthimit, arkitekturës, kinemasë etj. Një periudhë jetoi në Berlin. Vija e trajtesave të tij sillet nga Aristoteli te Shems-i Tebrizi, nga Dühreri, te Kanti, Hegeli, Marksi,Renani, deri te Russeli e Ayeri. Ligjërata e tij është e mprehtë, “pa droje ndaj temave që autorin e fusnin në telashe”, është antikapitaliste, kriticiste ndaj islamizmit apo islamit politik (“Dobësia e elitave myslimane është adhurimi i rehatisë, fuqisë dhe pushtetit”;  “Establishmentin fetar që hyn në faltore me këpucë firmato duhet rrënuar”), feminizmit etj. Sipas tij, fetaria duhet të urbanizohet, përndryshe mbetet fe fisnore dhe “ideologji fshatare”.

Është njohës i osmanishtes, gjermanishtes, anglishtes dhe frëngjishtes. Për trembëdhjetë vite ka botuar ese në Yeni Şafak (Agimi i Ri), aventurë të cilën e përfundoi më 5 shkurt 2011, me esenë “Mëkati im i fundit”, prej kur merret vetëm me mjekësi, matematikë dhe drejtësi. Ka mbajtur seminare dhe ligjërata të ekzegjezës, retorikës, logjikës dhe filozofisë. Nga2001, me 200 kuti librash është shpërngulur dhe jeton në vetmi në një ishull afër Stambollit (Büyükada), siç thotë “për të shkruar veprën e tij të parë”, ndonëse është autor i rreth 30 librave. Mbi derën e shtëpisë së vilës ka vendosur këto tri thënie: gnosei seauton (njihe vetveten), memento mori (kujtoje vdekjen)  dhe quo vadis (kah po shkon?).

Ndër veprat e tij kryesore janë Traktati rreth mbulesës (1995), Kuptimi i të kuptuarit të Kur’anit (1995), Thelbi i fjalës: Rreth natyrës së fjalës hyjnore (1996), Nga kultura e fjalës tek kultura e shkrimit: Historia e kuptimit (1997), E vërteta dhe bestytnia (1999), PhiloSophiaLoren (2004), Rreth historisë dhe politikës (2005), Rreth Akifit (2005), Xhemil Meriç: Një kujdestar tempulli (2006), Rreth rrethit (2007), Gjurma e syrit (2007), Katër ngjyrat e vdekjes (2009), Shkëlqesia e tij: Njeriu (2009), Arkitektura dhe filozofia (2012), Kinemaja dhe filozofia (2012), Arti dhe filozofia (2012) etj.

Për në fund: Nëse doni të lexoni diçka të jashtëzakonshme, njihuni me këtë “shkollar pa shkollë”, me këtë vepër “që lexohet shumë herë, përherë” (S. Salihu), kënaquni me disa nga emanacionet e një shpirti të veçantë, si:

S’mund të shohësh nëse nuk i mbyll sytë.

Mos dysho, e përhapura masovisht është e gabuara.

S’është me rëndësi kush je, por ç’mall je.

Çdo besim që nuk shoqërohet nga mendimi është i ngarkuar me dhunë.

Fjala që merr çdo kuptim, është fjalë pa kuptim.

Dituria të jep liri, kurse gjysëmdituria të robëron.

S’mund të jesh pushtet, pa i shtrënguar duart me djallin.

Mos lexo shumë libra, një libër të mirë lexoje shumë herë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button