“Koha e dhive” e Luan Starovës në gjuhën esperanto

Para disa ditësh në Poloni u botua në gjuhën esperanto romani kult i Luan Starovës “Koha e dhivë” (La tempo de la kaprinoj), të cilin e përkthyen nga Gjuha shqipe esperantistët e njohur Tomasz Chmielik dhe Bardhyl Selimi.

Është e rëndësishme të thuhet se kjo është gjuha e njëzet në të cilën u përkthye ky libër, që bën pjesë në serinë e tetëmbëdhjetë romaneve të Sagës ballkanike.

“Koha e dhive” konsiderohet prej vitesh romani më i çmuar dhe më i shpërblyer i Luan Starovës. Në shumë raste ai ka arritur të hyjë në rrethin më të ngushtë në konkurencë me vepra autorësh të dëgjuar evropianë. Pas botimit në FAJAR të Francës (1998), të njohur si shtëpia botuese që nxjerr në frëngjishte dhe veprat e shkrimtarit të madh shqiptar – Ismail Kadaresë, romani u përkthye edhe në gjermanishte, me ç’rast përjetoi disa promovime në Gjermani, Zvicër e Austri dhe u bë shkas për një mori shkrimesh kritike, recensionesh e opinionesh pozitive, të cilat shumë shkrimtarë të mirë të botës i kanë ëndërr të përjetshme dhe vdesin pa i përjetuar. Përkthimet në gjuhët e rëndësishme të botës, në mesin e të cilave edhe në italisht, spanjisht, greqisht, turqisht, bullgarisht, rumanisht, kroatisht, sllovenisht, finlandisht, maqedonisht, polonisht, rusisht… vazhdojnë pandalshëm edhe sot.

Për këtë vepër kanë shkruar mendimtarë, studiues dhe kritikë të njohur letrarë nga vendi dhe bota, si: Edgar Moren, Moris Drion, Erik Faj, Alen Boske, Predrag Matfejeviq, Vasilis Vasilikos, Peter Rau, Mari-Fransoaz Alen, Lloran Rebo, Aleksi Lorka, Antuan Zherald, Ali Aliu, Jorgo Bulo, Fatos Arapi, Mateja Matevski, Gane Todorovski, Shaban Sinani, Ferid Muhiq, Venko Andonovski, Ali Podrimja, Ardian Marashi, Risto Llazarov, Loran Kovaç, Virion Graçi, Xhevat Lloshi…

Për romanin janë përgatitur dhe disertacione doktoraturash e magjistraturash në Poloni, Shqipëri, Itali, Maqedoni dhe në vende të tjera.

Janë botuar dhe shumë kritika në mediet nacionale franceze, si: Le Mond Dilomatik, Figaro, La Kroa, Frans-Kultur etj.

Libri “Koha e dhive” e ka fituar shpërblimin e parë në konkursin e shtëpisë botuese “Mislla”, si romani më i mire i vitit. Ai u nominua edhe për çmimet “Romani më i mirë evropian”, “Romani më i mirë i huaj në Francë” etj.

I botuar për herë të parë para 26 vitesh, romani në fjalë vazhdon të zgjojë kurreshtjen e adhuruesve të letërsisë. Ai vazhdon të lexohet me kërshëri, të përkthehet në gjuhë të ndryshme dhe të studiohet nëpër auditore fakultetesh.

Para disa muajsh Luan Starova e botoi dhe librin “Kthimi i dhive”, që ndërkohë është përkthyer e botuar edhe në Kroaci.

Nëse në romanin “Koha e dhive” autori Starova flet për Maqedoninë dhe Ballkanin nëpërmjet rrëfimeve për dhitë në periudhën e totalitarizmit, në “Kthimin e dhive”, nëpërmjet këtyre kafshëve të buta rrëfen mbi periudhën e tranzicionit…

Për romanin të cilin autori e ka bartur brenda vetes më shumë se tri dekada, kurse e ka shkruar me një frymë të vetme dhe për tridhjetë ditë, vlerësimet janë të shumta dhe të larmishme. Po sjellim në vijim vetëm disa thënie personalitetesh të shquara të kritikës dhe studimeve letrare lidhur me romanin “Koha e dhive” të Akademik Luan Starovës, aktualisht njëri prej mjeshtërve më të njohur evropianë të prozës së gjatë narrative:

Peter Rau: Është fat i madh për letërsinë evropiane dhe botërore, që në diskursin e pafundmë të lidhjeve interkulturore të letërsisë, hyri edhe vepra e Luan Starovës.

Alen Boske: Një romansier shumë origjinal, që të bën për vete, Luan Starova, autori i një libri i cili nuk i ngjanë asnjë tjetri.

Mari-Fransoaz Alen: “Koha e dhive” është simfoni e njëmendtë pastorale, nga qumështi dhe mjalti, roman për kohën që s’rrëfehet… Kush e di vallë nëse aluzioni i librit ka të bëjë me masakrën e fëmijëve të Sarajevës, të civilëve të Bosnjës, ose me masakrat e mëpastajme, veçanërisht ndaj Shqiptarëve.

Rober Badenter: Luan Starova… është autor i një vepreje magjistrale.

Adonisi: Kjo vepër është ndër më të mirat që dëshmojnë në mënyrë indirekte shfarrosjen e shkaktuar nga universi  i ashpër dhe i egër ideologjik.

Antuan Zheralld: Ky libër për mua është çudia vetë! Mënyra apo më mirë thënë arti me të cilin autori i bashkon realen me të çuditshmen, gjallërinë e ironisë dhe tensionin dramatik, ka me se e magjeps lexuesin.

Aleksi Lorka: Urtësi dhe fantazi, art dhe thellësi, humor dhe refleks: romani “Koha e dhive” e Luan Starovës përmban njëmijë nuansa të një alegorie të suksesshme. Kjo ode e këndshme prej dhie u selektua për Shpërblimin roman më i mirë i huaj në Francë për vitin 1997.

Lloran Rebo:“Një rom n magjik i shkruajtur nga pena e një shkrimtari të madh shqiptar.

Jorgo Bulo: Luan Starova është njëri nga përfaqësuesit e kulturës shqiptare në botë. Vepra e tij është e rrallë në llojin e vet, jo thjesht për teknikat moderne narrative, po për thellësinë e mendimit përsiatës filozofik dhe idetë universale që shpalos.

Françesko Altimari: ShkrimtarI bashkëkohor shqiptar që shkrin brenda detyrës qytetare dhe vepërs së tij letrare mjaft tipare që lidhen me panoramën e re të shqiptarisë brenda kontekstit evropian dhe mesdhetar.

Luan Topçiu: Një nga autorët shqiptarë më të përkthyer në gjuhë të huaja, fitues i çmimeve shumë të rëndësishme letrare, shkrimtar që ka zgjuar një kërshëri të vazhdueshme në rradhët e lexuesve të huaj, është, pa dyshim, Luan Starova.

Xhevat Lloshi: Më duket se kjo është përvoja më frytdhënëse e hapjes së letërsisë sonë drejt zhvillimeve të reja, porse duke e ruajtur frymën e veçantë shqiptare, si diçka që e meriton vendin e saj në vlerat evropiane.

Virion Graçi: Kur fillova të lexoj romanet e tij e morra përgjigjen dhe shpjegimin që kërkoja me ngulm, kuptova më mirë dramën e tij, e cila nuk ishte veçse një shembëlltyrë e ndjerë, miniaturë e fatit historik të shumicës së shqiptarëve.

Fatos Arapi: Në shprehjen poetike të Luan Starovës, zbulova fuqinë shprehëse që mbështetet në traditën poetike shqiptare.

Mateja Matevski:“Koha e dhive” është roman i bashkëkohësisë sonë. Në të, përmes ironisë subtile, të përmbajtur dhe të qetë, por zëshëm nga aspekti beletristik, jetojnë e flasin endjet dhe absurditetet e një kohe që tani më është pas nesh, por që vazhdimisht na i kujton bashkëkohësit dhe jo vetëm neve, në përjetimet dhe pasojat që mund të kushtëzojnë padituritë, budallallëqet dhe rigjiditetin ideologjik e politik, madje edhe kur ata burojnë nga iluzionet e sinqerta dhe qëllimet e mira…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button