Mundësia që nuk duhet lëshuar për të dytën herë

Mundohem t’i kuptoj arsyet pse disa zëra thërrasin me shumë këmbëngulje që të bojkotohet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale që do të mbahet këtë të diel. Mundohem, e megjithatë nuk arrij të gjej argumentet dhe arsyet e nevojshme. Fundja për mua bojkoti asnjëherë nuk ka qenë opsion, pavarësisht kush e ka kërkuar dhe kush ka thirrur në një gjë të tillë. Të mos harrojmë se çfarë na sollën dy bojkotet e fundit në këtë shtet. Na sollën Ivanovin për president, të cilin e toleruam të jetë përfaqësuesi jonë për plot dhjet vjet ndërsa në mandatin e tij të parë, shumë shqiptarë edhe e votuan. Poashtu, na sollën referendumin e pasuksesshëm të shtatorit të kaluar, kur si qytetarë të këtij vendi kishim mundësinë të shprehemi për ose kundër integrimit në NATO dhe UE përmes pranimit të Marrëveshjes së Prespës, dhe megjithatë, një numër i konsiderueshëm vendosën të rrinë në shtëpi atë ditë dhe të bëjnë ajvar! Një pjesë e atyre që bënë ajvar me 30 Shtator vitin e kaluar, e votuan tani Siljanovskën në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve. Pyetja është çfarë do të gatuajnë shqiptarët me 5 Maj?

Rrugën të cilën e kanë nisur shqiptarët që thërrasin në bojkot të këtyre zgjedhjeve e ka ecur VMRO-DPMNE vetëm para disa muajsh. Në Shtatorin e kaluar, kur kjo parti thërriste me këmbëngulje qytetarët në bojkot, argumenti kryesor i tyre ishte që të rifaktorizohen si numër duke u fshehur pas të gjithë atyre që për arsye të ndryshme dhe jo për shkak të përkrahjes së lëvizjes “Bojkotoj” nuk votuan atë ditë. Më pas, kur censusi i duhur për referendum të suksesshëm nuk u arrit, ishte pikërisht kjo parti e cila rrihte gjoks duke thënë se plot 1.4 milion votues kanë përkrahur lëvizjen “Bojkotoj” duke i vendosur në të njëjtën shportë edhe ata që asnjëherë nuk votojnë, ata që kanë qenë jashtë shtetit ose ata të cilët janë shpërngulur. Kështu, nuk e kisha ditur se shumë familjarë të cilët jetojnë jashtë dhe nuk ndodheshin në Maqedoni me 30 Shtator paskan qenë në fakt përkrahës së asaj lëvizjeje që thërriste në bojkot! Por ja që në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të sivjetshme, kandidatja e VMRO-DPMNE-së nuk mori 1.4 milionë vota në rrethine parë. Kjo pikërisht për shkak se ata të cilët i bënte hesap kjo parti si votues të vet në shtator nuk ishin edhe aq votues të vet. Ky është rezultati kur të gjithë ata që nuk votojnë vendosen në të njëjtën shportë. Gjithnjë për faktorizim flasim, apo jo?

Shqiptarët që thërrasin për bojkot tani poashtu duan të rifaktorizohen. Të thonë që pa neve ky shtet nuk bëhet, që ne po deshëm, i stagnojmë të gjithë proceset dhe bëjmë një mishmash të paparë nga shteti. Ndoshta këta iniciues të bojkotit shqiptar eventualisht po qe se nuk arrihet censusi i nevojshëm prej 40% do të thonë se janë shumë në numër se janë diku rreth gjysmë milion njerëz që kanë përkrahur një bojkot të tillë. Në këtë mënyrë do të rifaktorizohen shqiptarët në këtë shtet? Duke bojkotuar? Duke u fshehur pas të gjithë atyre që nuk janë më këtu dhe kanë emigruar, sepse u është mbushur kupa duke parë e dëgjuar vazhdimisht retorikë folklorike karakteristike për dy shekuj më parë dhe anakronike për kohën në të cilën jetojmë? Mospasja e qëndrimit nuk zgjidh asnjë problem por krijon një mori problemesh tjera. Fundja në këtë shtet asnjë punë e rëndësishme nuk është zgjedhur me bojkot por me veprim aktiv dhe shumë të fokusuar drejt një qëllimi të caktuar.

Nuk mundem të mos e kujtoj bojkotin e vitit 2014 që i solli mandatin e dytë Ivanovit, atë mandat të cilin ai e përdori për të dhënë faljet spektakolare, për të sabotuar dhënien e mandatit dhe për ta sjellë vendin buzë luftës civile si dhe mes tjerash, për të mos e dekretuar Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ja, gjëra të tilla sjell bojkoti. Në atë kohë ishte BDI e cila thirri në bojkot pikërisht të kandidatit të tanishëm Stevo Pendarovski. E arriti qëllimin për të ndihmuar në mënyrë indirekte VMRO-DPMNE-në e asaj kohe për të siguruar edhe një mandat për Ivanovin. Tani thirret në bojkotim të të njëjtit kandidat sërish nga ana e shqiptarëve, duke numëruar mes tjerash “fajin” e këtij kandidati që përkrahet nga ata që e bojkotuan në vitin 2014. Thjeshtë nuk e kuptoj ku është logjika këtu. Të mos përkrahësh një kandidat gjithëpërfshirës dhe dinjitoz në zgjedhje presidenciale në mënyre irracionale dhe duke u bazuar në inate ndërpartiake është vërtet e pakuptimtë. Mbi të gjitha, kujt i bëjnë nder këto manovra shkurtpamëse? Shqiptarëve jo se jo, pasi që Maqedonia ka marrë një kahe të mirë drejt integrimeve në NATO dhe UE, atë kahe që me VMRO-DPMNEnë mundeshim vetëm ta ëndërrojmë. Shqiptarët, kur vendosën të faktorizoheshin vërtet me veprim proaktiv në vitin 2016, kontribuuan në rrëzimin e VMRO-së dhe në krijimin e qeverisë së re dhe krijuan kushte që Zaev të bënte Marrëveshjen e Prespës dhe të na sillte afër ëndrrës sonë të kamotshme, integrimit në NATO dhe BE. Nuk e di por mua ky më duket goxha faktorizim, të cilin nuk e kemi arritur duke ndenjur në shtëpi e duke bojkotuar, por pikërisht duke votuar dhe vepruar për të ardhur tek ndryshimi. Prandaj, thirrja për bojkot të zgjedhjeve presidenciale i bën nder pikërisht VMRO-DPMNE-së interesi i të cilës është regresi dhe jo progresi i vendit, në mënyrë që sa më shpejt të rikthehet në pushtet. Në kohën kur integrimi në NATO po bëhet realitet, interes për kriza politike dhe status quo në Maqedoni kanë vetëm shtetet e orientit, mbi të gjitha Rusia, e cila do të ishte shumë e lumtur në qoftë se trazirat në Ballkan do vazhdonin qoftë edhe një ditë më gjatë.

Përkrahësit e bojkotit shqiptar të këtyre zgjedhjeve thonë se me këtë do të sigurojnë përsëritje të zgjedhjeve dhe mbajtje njëkohësisht edhe të zgjedhjeve parlamentare ku ata presin të korrin fitore të madhe. Por një gjë e harrojnë këta përkrahës, që politikanët mendojnë gjer tek zgjedhjet e ardhshme ndërsa burrështetasit mendojnë pak më larg se kaq. Burrështetasit bëjnë marrëveshje historike si ajo e Prespës, dhe ndërmarrin hapat vendimtar në kohët vendimtare. Cilat janë alternativat për të cilat do të votohet në ato zgjedhje parlamentare të parakohshme dhe cili do të jetë rezultati i tyre? A do të jetë ky një rezultat drastikisht i ndryshëm nga situata politike në të cilën ndodhemi tani? Sinqerisht nuk besoj. Shoqëria është tmerrësisht e ndarë dhe i tillë do të jetë edhe rezultati zgjedhor pavarësisht për cilat zgjedhje bëhet fjalë. Por ata që thërrasin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, dua t’i pyes, vallë, kaq shpejt dëshirojnë të kontribuojnë në kthimin e nacionalizmit shovinist në pushtet? Vallë kaq të etur për pushtet janë vetë sa që janë të gatshëm të hedhin gjithçka në ajër vetëm e vetëm të bëhet si thonë ata? Po pastaj çfarë? Cila është alternativa që ata ofrojnë? Më shumë nacionalizëm?

Asnjë nga këto nuk më duket argument i duhur për bojkot. Bojkoti nuk ka qenë zgjedhje në këtë shtet dhe as që do jetë në ndonjë të ardhme të afërt. Në fletëvotimin e ditës së diel ka dy emra që mund të rrethohen. Nëse asnjëri nuk pëlqehet është gjithmonë mundësia e prishjes së fletëvotimit. Por të mos pasurit qëndrim nuk zgjidh asnjë gjë. Për herë të dytë kemi rastin të votojmë një kandidat dinjotoz i cili është i denjë të na përfaqësojë, i cili nuk ka frikë nga ndryshimet dhe qartazi ka zgjedhur rrugën në të cilën dëshiron të ecë. Nuk ka logjikë që këtë shans ta humbasim si shqiptarë dy herë radhazi për vetëm pesë vite. Fundja shqiptarët kanë votuar në të kaluarën për presidentë tmerrësisht më pak dinjitoz se ky të cilin kemi rastin ta zgjedhim tani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button