Kam pak kujtime për autobiografi

Kam pak kujtime për një autobiografi. Krejt çka kujtoj është një ditë që përsëritet. Krejt çka kujtoj nuk është e denjë për ta rrëfyer.

Dashuritë tonë ishin si gjithë dashuritë e botës; si gjithë dashuritë plot me marrëzi të këndshme. Por kësi dashurish ka përjetuar secili. Secili ka përjetuar net pa gjumë. Dhe pritje të ankthshme. Dhe puthje që i duhen çdo dashurie. Dhe fjalë mikluese. Dhe dëshirë për t’i rënë në sy një vashe dinake. Krejt çka kujtoj nuk mjafton as për një kapitull autobiografie…

Kam parë e takuar njerëz veshur me pushtet, që silleshin çuditshëm dhe ishin të zakonshëm, me një pushtet që i robëronte, shoqëruar me njerëz që fshihnin mendimet e tyre ose fare nuk i kishin. E si mund të shkruaj për kësi gjërash, që i bëjnë autobiografitë e lodhshme.

Pa librat nuk do të kisha as kujtime. Lexon e sajon gjëra të çuditshme kur bota bën qejfe. Po kujt i plasi se ke lexuar e shkruar libra? Është më joshëse jeta e një aventurieri se sa e një eremiti; jeta e një belaxhiu se sa e një skofiari; jeta e një vrasësi serik se sa e një shenjti; jeta e një të përdale se sa e një asketeje; është më joshëse jeta e një Don Zhuani, se në fund të fundit secili e ka një Don Zhuan brenda vetes, që e mbyt ngadalë në emër të do rregullave, ardhur nga vetëdija e do pleqve të paemër.

Gjithçka që kujtoj janë luftërat rrotull nesh dhe të njëjtën ditë ngulfatur prej lajmeve të njëjta, përsëritur në gjuhë të ndryshme. Por këto janë gjëra të trishta për lexuesit e ardhshëm. Njerëzit nuk duan rrëfime të trishta. Ata duan vetëm të argëtohen.

Megjithatë dua të shkruaj një autobiografi, por ndjej se është shumë vonë për të bërë diçka që mund ta kujtoj nesër. Zakonisht kujtohen çaste të trazuara, kur i ngjan akrobatit që ec nëpër tel.

Krejt çka mund të kujtoj sot janë ngjarjet që kanë ndodhur para disa shekujsh. Nëse nuk kanë ndodhur i bie se rrëfyesit kanë gënjyer.

Më kujtohet njëfarë Gilgameshi, që i afrohej një luleje, ku ishte gjarpri. Ej, i marrë, lere atë lule, a nuk e sheh se aty është gjarpri? A nuk e sheh se si zvarritet vetëm që t’i jep kuptim jetës tënde? Ej, i marrë, bjer në mend, përjetësia është e lodhshme! Njerëzit mund të të kujtojnë kur të mos jesh, por edhe kjo nuk është e sigurt.

Më kujtohet lufta e Trojës, kur një Parid mashtroi një grua, Helenë e quanin. Më kujtohet, pastaj, se si plasi sherri, ashtu kot, vetëm për një grua, ashtu siç plasin sherret në çdo kohë – për shkak të një pasioni, për shkak të një xhelozie, për shkak të një dashurie, për shkak të një humbjeje, për shkak të një vështrimi. Duhet të ketë qenë dimër, sepse atëherë lexoja kësi rrëfimesh, në një dhomë me shumë libra, pranë një koftori ku vlonte çaji. Di që kam menduar: çfarë do bëja para një Helene dhe çfarë do bëja po të isha Menelau, se të tjerët vetëm e shfrytëzuan rastin për qëllimet e tyre.

Më kujtohet njëfarë Hamleti, ngulfatur prej dilemash, që sikur më thoshte: mua nuk më vrau ndjenja e hakmarrjes, si do mendojë bota pas shumë shekujsh, mua më vrau mendimi për botën e përçudnuar, ngulfatur nga pasione seksesh. Krejt çka ka shkruar Shekspiri është gënjeshtër. Të vërtetën e di vetëm Horati.

Më kujtohet njëfarë Don Kishoti dhe një Sanço Panço, që pasi u lodhën duke udhëtuar u fshehën brenda meje.

Këto gjëra nuk janë të përshtatshme për një autobiografi. Për ta shkruar atë duhet që ta shpik jetën time; ta ndryshoj jetën e mërzitshme; t’i bëj ditët më të çmendura, më të trazuara; t’i mbush rrugicat me lënesha, me gangsterë e me mashtrues. Druaj se as kjo s’do t’u pëlqejë lexuesve të ardhshëm që do ta zbulojnë mashtrimin. E çka duhet një autobiografi që askush nuk do ta lexojë? Në fund të fundit vetë e sakrifikuam jetën për hir të një jete tjetër, që menduam se mund të ishte më e gjatë se kjo që e patëm.

Nëse një ditë do të na lexojnë kjo për ne s’do të ketë vlerë. Nëpër libra secili e kërkon vetveten dhe jo autorin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button