Muaji i përkujtimit mbaroi, por AUTIZMI ngeli!

Është diçka që ka kapluar çdo kontinent. Ka kapluar çdo shtet e çdo qytet. Ka prekur çdo shtëpi e çdo familje. Na ka gjetur të pa mbrojtur e të pafuqishëm. Na ka bërë kurioz e të pa shpresë. Provojmë të hapim dyert e zgjidhjes së problemit por pa çelësin e duhur, dera nuk hapet dot.

Dëgjojmë rreth spektrit të autizmit si diçka shumë aktuale dhe të pranishme gati se çdo 1 në 59 fëmijë.

Dhe kjo gjë neve nuk na bën shumë përshtypje.

Por çfarë në qoftë se ky raport vjen duke u zvogluar?

Dhe çfarë në qoftë se vjen deri tek barazimi i popullatës mes njerëzve autik dhe njerëzve me zhvillim tipik?

Tani çështja merr kahje tjetër dhe çdo kujt mund ti duket shqetësuese.

Ndërkohë që neve na duket vetëm shqetësuese, dikush ballafaqohet me këtë në çdo sekondë të jetës.

Ndërkohë që neve na bënë përshtypje vetëm një artikull i caktuar rreth autizmit, dikush lufton çdo ditë me të.

Ndërkohë që ne vazhdojmë duke formuar rrethin tonë paragjykues, bëjmë të mundur krijimin e mureve të larta nga një nënë e cila mundohet të mbrojë fëmijën e saj autik.

Me një rreth të tillë nuk vrasim vetëm fëmijën, por vrasim një shoqëri të tërë.

Vrasim çdo ditë e më shumë ndjenjat, dashurinë, emocionet, dëshirat, shpresat dhe ëndrrat e një komuniteti.

Për të shembur muret e saja të larta dhe për të shpëtuar nënën dhe fëmijën nga vetmia, izolimi, dëshpërimi dhe ankthi, nuk mjafton të dimë vetëm se çfarë është autizmi dhe karakteristikat e tij.

Nuk mjafton ti kushtojmë vëmendje autizmit vetëm një ditë, e as vetëm një muaj.

Le të kujtojmë fjalët e Profetit a.s:

“Askush prej jush nuk ka besuar, nëse nuk dëshiron për vëllain e tij, atë që dëshiron për vete.”

Secili nga ne le të vendos veten në vendin e atyre prindërve që vuajnë çdo ditë dhe luftojnë në çdo sekondë të jetës.

Secili prej nesh le të luftojë për ata fëmijë sikur të ishin fëmijët tanë.

Secili prej nesh le të jep mundin e tij për krijimin e rrugëve te reja dhe së bashku të pastrojmë çdo ndytësirë që kanë prodhuar paragjykimet tona vite me rradhë.

Le t’i largojmë dezinformatat dhe le të bashkohemi për ti shembur sëbashku këta mure që ne vetë i krijuam.

Le të vazhdojmë edhe pas këtij muaji të japim gjithçka nga vetja jonë për formimin e familjeve më të shëndosha dhe për një shoqëri më të mirë.

E tani që muaji i përkujtimit të autizmit mbaroi, le të mos mbarojnë edhe përpjekjet tona për të kontribuar sadopak në përmirësimin e gjendjes së tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button