20 vjet nga Masakra e Mejës, homazhe në Obeliskun e Pagjeturve (VIDEO)

Para 20 vjetësh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, njofton Koha.net.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.

Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre.

Homazhe tek Obelisku i të Pagjeturve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj kanë bërë homazhe tek Obelisku memorial i të Pagjeturve në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Ata kanë vendosur kurora lule dhe kanë takuar nga afër familjarët e të pagjeturve që ishin prezent për të bërë homazhe. Por nuk u prononcuan për media.

Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Çerkini tha se nuk është bërë mjaftueshëm nga shteti i Kosovës për zbardhjen e fatit të tyre.

Ai u shpreh se nuk do rreshtin duke punuar në këtë drejtim deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur.

Ahmet Grajçevci tha se adresa e vetme për të pagjeturit mbetet Beogradi për çka kërkoi trysni ndaj shtetit serb nga bashkësia ndërkombëtare.

Ambasadori Kosnet: Miqësia SHBA-Kosovë mbetet e qëndrueshme, kriminelët të dënohen

“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetët e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata qe vdiqën qe Kosova të jete e lirë”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Filip Kosnet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button