Fushata antivaksere në RMV: Në 4 vjetët e fundit, 20 për qind më pak fëmijë janë vaksinuar kundër fruthit

Tendenca e zvogëlimit të përfshirjes së fëmijëve të vaksinuar me dozën e parë kundër fruthit filloi në vitin 2014, kur fillon edhe të rritet dhe numri i të sëmurëve, shkruan SDK. Në 10 vitet e fundit është regjistruar numri më i madh i rasteve të fruthit, ose 1.175 të sëmurëve me një normë prej 56,8 në 100.000 banorë, ndërsa prej tyre 895 persona ose 76,1 për qind nuk kanë qenë të vaksinuar, transmeton Portalb.mk.

LEXO: Rëndohet situata me epideminë e fruthit në RMV, për një javë 95 raste të reja

Në epideminë e fruthit, që në Shkup u shpall në fillim të vitit, e më pas në të gjithë vendin, nga kjo sëmundje me shkallë shumë të lartë të ngjitshmërisë dhe e cila shoqërohet me komplikime të rënda, kanë vdekur tre fëmijë, të cilët sipas kalendarit për imunizim nuk i nënshtrohen vaksinimit ose për shkak të sëmundjeve tjera nuk mund të vaksinohen.

Lidhjen e drejtpërdrejtë me përfshirjen e zvogëluar të fëmijëve të vaksinuar, sidomos me dozën e parë e vaksinës që merret pasi fëmija të mbushë 1 vjet, e tregon grafiku të cilin e ka përgatitur Zyra e UNICEF-it në vend, bë bazë të të dhënave të Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) nga viti 2013 deri më tani. Sipas këtyre të dhënave, dozën e parë e vaksinës MRP (morbili-fruthi, rubeola, parotiti) e kanë marrë vetëm 74,8 për qind e fëmijëve, ndërsa mbulimi me dozën e dytë të cilën e marrin fëmijët në klasën e parë është 93,8 për qind .

Sipas këtyre të dhënave, tendenca e zvogëlimit të mbulimit të fëmijëve të vaksinuar fillon nga viti 2014. Kështu, në vitin 2013 dozën e parë e kanë marrë 96,1 për qind e fëmijëve, ndërsa janë regjistruar vetëm 4 të sëmurë nga fruthi, në vitin 2014 mbulimi bie në 93,3 për qind, ndërsa rritet numri i të sëmurëve nga fruthi kur janë regjistruar 107 raste. Deri në fund të vitit të kaluar përfshirja e  fëmijëve të vaksinuar deri në moshën nën një vjeç është 74,8 për qind, ndërsa janë regjistruar gjithsej 68 raste, kur edhe u shpall epidemia në Shkup, e prej para dhjetë ditësh epidemia u shpall në tërë vendin.

Sipas të dhënave të ISHP, shumica e të sëmurëve janë të grupmoshës mbi 30 vjeç, me 504 pacientë të regjistruar, 200 fëmijë nën moshën deri një vjeç të cilët nuk i nënshtrohen vaksinimit dhe 202 fëmijët e moshës nga një deri katër vjeç. Nga fëmijët e sëmurë, të moshës nga 1 deri 4 vjeç, 88% nuk kanë qenë të vaksinuar. Nga numri i përgjithshëm i të sëmurëve në epidemi 480, ose mbi 40 për qind kanë qenë të hospitalizuar, ndërsa ka pasur 205 komplikime nga fruthi.

“Numri më i madh i komplikimeve nga fruthi është shënuar tek fëmijët deri në moshën një vjeç, ose te 54 fëmijë, si dhe te 43 fëmijë të moshës prej 1 deri 4 vjeç. Kjo sugjeron që kjo grup moshe është më e prekura dhe më e ekspozuara ndaj komplikimeve nga sëmundja”, thonë nga ISHP.

Epidemiologët dhe autoritetet shëndetësore në vazhdimësi kanë apeluar që të vaksinohen fëmijët dhe të rriturit të cilët nuk janë vaksinuar dhe përmes imunitetit kolektiv të mbrohen pikërisht fëmijët të cilët nuk i nënshtrohen vaksinimit, si dhe fëmijët të cilët për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore nuk mund të vaksinohen.

Nga fillimi i epidemisë deri tani, në Shkup janë vaksinuar gjithsej 12.848 fëmijë të moshës deri 14 vjeç, ndërsa në pjesën tjetër të vendit 8.320 fëmijë deri në moshën 14 vjeçe me dozën e parë ose të dytë. Numri i përgjithshëm i fëmijëve të vaksinuar deri 14 vjeç, me vaksinë MRP, nga fillimi i epidemisë në të gjithë vendin është 21.168.

LEXO: Epidemia e fruthit në RMV ndër vite: 2019-ta rekord në numrin e të sëmurëve (Infografik)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button