Vetëvendosje sot do të protestojë kundër kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) sot, me fillim prej ora 11:55 do të protestojë para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi.

Siç thuhet në njoftimin e LVV-së, arsyeja e protestës është se Kosova kurrë nuk nuk ka qenë më i kapur se sot, nuk po ndiqen krimet e luftës dhe as ato të paqes, dhe se Lumezi u frikësohet presidentit, Hashim Thaçi, kryeministrit, Ramush Haradinaj, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe ministrave, ndërkaq duhet të jetë e kundërta, ata t’i frikësohen Lumezit.

“Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike.

Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e LVV-së.

Në kumtesën e LVV-së më tej thuhet:

“Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin. Me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë.
Nga raportimet e përditshme nëpër medie për aferat korruptive të qeverisë e deri te të gjeturat e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit, asgjë nuk i bën përshtypje këtij kryeprokurori. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar. Sulmit dhe kërcënimeve të kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj, ai ju përgjigj me sulme e kërcënime shtesë kundër këtij vartësi të vet. Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë.
Me këso lepurushash nuk mbahet republika e nuk bëhet shteti. Me hajna nuk ka shtet, por as me lepurusha nuk bëhet shteti”, thuhet në kumtesën e LVV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button