Shekulli 21, biblioteka e Tetovës ende nuk ka mjaftueshëm fonde për libra në gjuhën shqipe

Ndarja e buxhetit për bibliotekën e qytetit të Tetovës “Koço Racin” nga ana e Ministrisë së Kulturës bëhet 50/50 për libra në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe, ndërkaq që lexuesit në të njejtën janë shumicë shqiptare, u tha sot në debatin “Leximi dhe të rinjtë” që u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore, transmeton Portalb.mk.

Lexuesit e bibliotekës së qytetit ankohen për numrin e paktë të librave në gjuhën shqipe si dhe pamundësinë për t’i gjetur librat në dispozicion për huazim. Ata thonë se edhe pse titujt figurojnë në sistemin e bibliotekës, numri i paktë i kopjeve bën që gati çdoherë libri të jetë i huazuar nga dikush tjetër.

Punonjëset në bibliotekë arsyetohen me atë që biblioteka zë një hapësirë prej 200 metër katror, gjë që e limiton numrin e librave të ri që mund të blehen. Përveç kësaj, librat në gjuhën shqipe janë më të shtrenjtë.

“Fondi i ndarë nga ana e Ministrisë së Kulturës për bibliotekën është 50/50 për libra në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Meqë ne kemi më shumë lexues shqiptarë dhe librat shqip janë më të shtrenjtë, kemi një mosbalancim të ofertës dhe kërkesës”, thonë nga Biblioteka “Koço Racin”.

Biblioteka e qytetit të Tetovës ka diku 3000 deri 5000 lexues të rregullt, nga të cilët numri më i madh janë femra. Nga Biblioteka “Koço Racin” njoftojnë se autorët e huaj vazhdojnë të ngelen të preferuar nga lexuesit.

“Numri i lexuesve në bibliotekën e qytetit vazhdon të jetë konstant, megjithatë nuk duhet t’i them stop vetes së punuari dhe të jemi të kënaqur. Ne mundohemi që jemi në shërbim të të rinjve që ata të mos largohen nga libri”, tha Njomza Imeri Ismaili, drejtoreshë e Bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë.

Në këtë bibliotekë ekziston edhe “Sektori i vendlindjes”, ku autorët vendas duhet të dorëzojnë nga pesë kopje të librit të botuar.

Studentët kërkuan nga drejtoresha e bibliotekës që të ndryshojë mënyrën e marrjes së emaileve nga biblioteka vetëm në gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, Njomza Imeri Ismaili u arsyetua me atë që sistemi COBBIS që përdor biblioteka është slloven, por se megjithatë po punojnë në përmirësimin e të njejtës.

Në ndërkohë, objekti i ri i bibliotekës ka filluar të ndërtohet më 29 nëntor 2014, por nuk ka përfunduar ende.

“Shpresojmë që objekti i ri i bibliotekës, ashtu si thuhet, të përfundohet në afat prej dy vitesh”, tha Njomza Imeri Ismaili.

Në ngjarjen e organizuar sot u shpërblyen me libra dhe certifikata lexuesit më të mirë të të dy biblotekave.

LEXO: Pas shumë vitesh premtime nis ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës
LEXO: Biblioteka e Tetovës shumë libra, pak hapësira
LEXO:Tetovë, ende nuk duken Teatri dhe Biblioteka (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button