Policia në BFI ishte e MPB-së, jo e Policisë Financiare

Zyrtarët policor që kanë vëzhguar trazirat e djeshme në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 2 për shkarkimin e reisit, Sulejman Rexhepi, kanë qenë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe jo të Policisë Financiare, njofton Portalb.mk.

Drejtoria e Policisë Financiare i demanton informatat e publikuara në disa media se dje ata kanë kryer ekspertizë dhe kontroll në hapësirat e Bashkësisë Fetare Islame, por thonë se vetëm kanë pranuar kërkesë për të bërë kontroll.

“Policia Financiare nuk ka ndërmarrë kurrfarë veprime dhe aktivitete me qëllim të kontrollim të punës financiare të BFI-së. Më 24.04.2019 është pranuar paraqitje me shkresë me kërkesë për kontroll financiar në BFI”, thonë nga Policia Financiare, duke mos treguar se kur do të vendoset për kërkesën për kontroll financiar.

Kërkesën për kontroll financiar e ka dërguar, Skender Buzaku, apo personi i cili, sipas vendimit të Gjykatës duhet të ulet në karrigen e reisit, në vend të Sulejman Rexhepit.

“Kërkuam nga Policia Financiare të bëjë inspektimin e punë së BFI-së në sektorin financiar, si është punuar dhe si janë harxhuar paratë. Nga nesër do të vazhdojmë punën tonë. Unë tani jam reis i ri, sipas vendimit gjyqësor dhe sipas akteve të brendshme, nesër do ti jap detajet. Nuk ka puç në BFI, siç ka thënë Rexhepi sepse gjitha aktet e brendshme janë respektuar. BFI-në e pret një erë e re dhe do të shkojë përpara shumë më tepër. Nuk kam thirrur policinë në rrugë “ tha Buzaku.

Policia para BFI-së
Policia para BFI-së

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, e konfirmoi se zyrtarët e djeshëm policor që kanë qenë përpara selisë së BFI-së kanë qenë të tyre dhe jo të Policisë Financiare.

Prej atje njoftuan se pas pranimit të dy raportimeve edhe nga njëra palë (Skender Buzaku) edhe nga pala tjetër (Sulejman Rexhepi), punonjësit e policisë u drejtuan në selinë e BFI-së në Bit Pazar dhe në vendin e ngjarjes nuk është konstatuar prishje e rendit dhe qetësisë publike.

“Ministria e Brendshme ka detyrimin për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, ndërsa punët e brendshme të Bashkësisë Fetare Islame janë punë të anëtarëve të kësaj bashkësie fetare dhe ne fuqimisht i hedhim poshtë përpjekjet e individëve dhe subjekteve politike për të përfshirë Ministrinë e Punëve Brendshme në këto zhvillime”, thonë nga MPB.

Për dallim nga Policia e MPB-së që ka kompetenca të karakterit për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik në shtet, Policia Financiare është Drejtori në kuadër të MinistrisëFinancave që ka për qëllim luftën kundër krimit të organizuar financiar, mbrojtjes së interesave nacionale financiare, por edhe mbrojtje të fondeve evropiane në Maqedoninë e Veriut.

Rexhepi në seli, Buzaku pret njoftim nga Policia Financiare

Sulejamn Rexhepi në zyrën e tij
Sulejamn Rexhepi në zyrën e tij

Derisa kryetari aktual i BFI-së, Sulejman Rexhepi, sot ka ardhur në hapësirat e BFI-së, Skender Buzaku pret që Policia Financiare ta njoftojë për kontrollin financiar dhe më pas të vendos për hapat e mëtutjeshme, njofton Portalb.mk.

Rexhepi, sot erdhi në BFI dhe u ngjit në kabinetin e tij, ndërkaq mediat merrnin inserte derisa ai qëndronte i ulur në karrige.

Portalb.mk kontaktoi Buzakun në lidhje me atë se çfarë cilat janë hapat në vijim.

Skender Buzaku
Skender Buzaku

Sipas tij, tani presin që Policia Financiare ta kryejnë punën e tyre, ndërkaq më pas do t’i ndërmarrin hapat e mëtutjeshme.

“Presim që Policia Financiare ta kryej punën e saj, pastaj do të shohim se çfarë do të ndërmarrim. Pas mbarimit të punës së Policisë Financiare, nëse nuk i lëshojnë hapësirat e BFI-së, do të dorëzojmë padi në Gjykatë që në afat prej tre ditëve t’i lëshojnë hapësirat”, tha për Portalb.mk,Buzaku.

Ndryshe, që në vitin 2015 filluan përplasjet mes dy grupeve në BFI, mes „Lëvizjes për reforma në BFI” e cila kërkonte shkarkimin e Reisit pjesë e së cilës ishte edhe Buzaku dhe mes Sulejman Rexhepit me përkrahësit e tij.

“Lëvizja për reforma në BFI” 12 ditë mori nën udhëheqje selinë e BFI-së por më pas u larguan nga selia ndërsa disa u dënuan edhe me burg me kusht nga Gjykata Themelore Shkupi I për vepër penale “pjesëmarrje në grupim” dhe “prishje të rendit dhe qetësisë” dhe u obliguan t’i paguajnë BFI-së dëmshpërblim.
Rijaseti i BFI-së në krye me Rexhepin, vendosi për sanksionimin e personave që morën selinë e këtij institucioni, duke i përzënë nga anëtarësia në Bashkësinë Fetare Islame. Që atëherë procesi ka vazhduar nëpër gjykata.

Rexhepi dje tha se BFI vendosi se do të kyçet në propagandën kundër pushtetit nëse nuk ka reforma gjyqësore në vend. Sipas tij, me proces gjyqësor të falsifikuar iu është marrë selia dhe është shkarkuar ai, si dhe kërkon ndëshkim për gjykatësen. Nga ana tjetër, Buzaku, ish sekretar i Myftinisë së Shkupit në (BFI) tha se ai do të jetë kryetar i ri i BFI-së, sipas vendimit gjyqësor që ai e posedon.

Javë më parë, BFI u përplas edhe me Qeverinë e Maqedonisë për çështjen e denacionalizimit të pronave. Ndërkaq, vitin e kaluar kryeministri Zoran Zaev tha se institucionet do ta kontrollojnë punën e Bashkësisë Fetare Islame. Gjithashtu,pasi kërkoi në Kuvenddeputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiriu drejtua edhe në Prokurorinë Speciale Publike për t’u kërkuar kontrollim të bisedave telefonike që të vërtetohet se a ka ndonjë lloj keqpërdorimi nga BFI. Nga kjo e fundit nuk u dha asnjë informatë nëse kanë ndërmarrë ndonjë vepër të tillë.

Portalb.mk ka ngitur çështjen që në Kuvend të votohet ligj i ri me të cilin bashkësitë fetare në Maqedoni të obligohen që raportin vjetor financiar përveç në Drejtorinë për të Hyra Publike (DHP), ta dërgojnë për shqyrtim edhe në Kuvend. Aktualisht, bashkësitë fetare nuk janë të obliguara që t’i japin llogari opinionit për qarkullimin e parave të buxhetit të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button