Vigjilenca Abazi: Denoncuesit nuk mbrohen vetëm me ligji, ai është vetëm hapi i parë

A mund të presim që në një vend ku dominojnë partitë politike, ndonjë nëpunës publik të raporton abuzim nëse partia e tij mundet thjesht të shkarkojë?, pyet Vigjilenca Abazi, profesoreshë në fakultetin juridik në Universitetin e Mastrihtit, në Holandë, në një intervistë për “Meta”, përcjell Portalb.mk. 

Maqedonia që nga viti 2015 ka Ligj për mbrojtje të denoncuesve. Në të njëjtin vit kur u miratua ligji, në rastin “Puç” u akuzuan Gjorgji Llazarevski dhe Xvonko Kostovski, dy punonjës në Drejtorinë për të siguri dhe kundërzbulim në MPB, sipas tregimit tashmë të njohur mirë, prej atje i nxorën “bombat”, dhe ia dorëzuan ish-drejtorit, Zoran Verushevski, prej ku pastaj e gjetën rrugën deri te publiku. Menjëherë pasi Zoran Zaev, atëherë kreu i opozitës, në shkurt të vitit 2015 filloi të publikojë “bombat” të dy denoncuesit u arrestuan.

Kostovski u dënua me tre vjet burg, pas marrëveshjes që e bëri  me prokurorinë, ndërsa Llazarevski kaloi 11 muaj në paraburgim për shkak se refuzoi të pranojë aktpadinë. Në prill të vitit 2016, pas faljes nga Gjorge Ivanov, Kostovski u lirua nga vuajtja e dënimit me burg.

Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, pas tre vjet e gjysmë nga arrestimi i tyre, Llazarevski dhe Kostovski u kthyen në punë në MPB.

Abazi, studentja më e mirë e gjeneratës saj në Fakultetin juridik në universitetin e  Shkupit, e ka vazhduar shkollimin e saj në Universitetin e Amsterdamit, Universitetin Kolumbia, Jejll … Sot ligjëron në disa universitete të njohura në SHBA dhe Evropë.

Më 16 prill, Parlamenti Evropian e miratoi Direktivën e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e denoncuesve, ndërsa më 4 prill Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë dhe rekomandime për mbrojtjen e denoncuesve. Abazi është pjesëmarrëse në përgatitjen e direktivës, ndërsa rezoluta dhe rekomandimet bazohen në raportin e saj “Mbrojtja e denoncuesve: sfidat dhe mundësitë për autoritetet lokale dhe rajonale”.

Parlamenti Evropian më 16 prill e miratoi Direktivën, ndërsa Këshilli i Evropës në fillim të këtij muaj e miratoi rezolutën dhe rekomandimet për mbrojtjen e denoncuesve. Çfarë risish sjellin këto dokumente?

– Këto janë hapa të shkëlqyer për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit në Evropë. Më lejoni të shpjegoj disa karakteristika të rëndësishme ligjore. Duhet të bëjmë dallim të rëndësishëm: së pari, Bashkimi Evropian e miratoi një ligj, që do të thotë rregulla që imponojnë detyrime, për mbrojtje të denoncuesve, ndërsa Këshilli i Evropës votoi për rezolutë, që është dokument me udhëzime, por si i tillë nuk ka obligime ligjore.

Së dyti, ndërkohë që ligjet e BE zbatohen në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit, fushëveprimi i Këshillit të Evropës është më i gjerë dhe ka 47 shtete anëtare.

Në esencë, Direktiva ka të bëjë me shumë çështje: shkelja e ligjit apo abuzimi i frymës së ligjeve të BE në një spektër të gjerë fushash si prokurimi publik, shërbimet financiare, parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, siguria e produkteve, siguria në trafik, mbrojtja e mjedisit, siguri nga rrezatimi dhe ajo bërthamore, siguria e ushqimit, shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve, shëndeti publik, mbrojtja e konsumatorit, mbrojtja e privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale, mbrojtja e sistemeve të rrjeteve dhe të informacionit, mbrojtja e interesave financiare të Bashkimit, shkelja e rregullave të brendshme të tregut, duke përfshirë rregullat për mbrojtjen e konkurrencës dhe  subvencionet shtetërore, apo çështje të evazionit fiskal.

Si këto dokumente, veçanërisht Direktiva, do të ndikojnë mbi Maqedoninë?

– Maqedonia e Veriut, si vend-kandidat për anëtarësim në BE, duhet të përcjellë dhe ta  miratojë legjislacionin e Bashkimit. Kjo, ndër të tjera, siguron që të jemi në hap me ligjet dhe standardet e BE, që është e rëndësishme për anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen.

Sa  është Maqedonia larg nga dispozitat e Direktivës, si e vlerësoni situatën me mbrojtjen e denoncuesve në vend?

Duhet të jemi të sigurt që ligji, edhe në letër edhe në praktikë, t’i përshtatet nevojave për mbrojtjen e denoncuesve. Më lejoni të theksoj: nuk mjafton vetëm të miratohet një ligj, ajo punë është vetëm hapi i parë. Mjedisi politik dhe kulturor dhe sa në atë mjedis njerëzit ndjehen të sigurt për të raportuar (abuzim, v.j.), a kanë frikë se do ta humbasin vendin e punës nëse raportojnë dhe a do të kuptohen seriozisht janë aspekte thelbësore që duhet t’i përmirësojmë. Të jap një shembull për shqetësimin tim: në një vend ku partitë politike dominojnë në shkallë të madhe, a mund të presim një nëpunës publik të raportojë abuzim nëse partia e tij mund thjesht të shkarkojë, ose ta kërcënojë atë dhe familjen e tij? Kemi edhe shumë rrugë për të kaluar deri sa të arrijmë te një administratë publike vërtet të pavarur dhe profesionale.

Si të përmirësohet situata? Cilët do të ishin hapat më të rëndësishëm për t’u ndërmarrë?

 – Duhet të sigurojmë që kanalet e raportimit të jenë plotësisht të pavarura dhe të mbrojnë konfidencialitetin e plotë (fshehtësinë) e njerëzve të cilët raportojnë. Sidomos në qytetet dhe komunat më të vogla, duhet të jemi të sigurt që denoncuesit do të ndihen të sigurt për të parashtruar raport, të bindur se eprorët e tyre nuk do të hakmerren, sepse atje ka më shumë gjasa për ta zbuluar se kush ka raportuar, për shkak se ka numër më të vogël punonjësish. Një tjetër gjë që duhet të theksohet është se direktiva e BE ka të bëjë edhe me sektorin publik edhe me atë privat. Prandaj, biznesi në Maqedoninë e Veriut duhet t’i përcjellë kërkesat (e ligjit, v.j.) dhe t’i krijojë proceset e nevojshme për raportim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button