Me rastin e Ditës së Librit

Për ata që lexojnë shumë, si puna ime, e dinë mirë që librat mund të klasifikohen sipas kategorive të ndryshme të njohjes me tjerët: disa njerëz i njohim por nuk kemi miqësi me ta; disa të tjerë i njohim sepse na detyron puna t’i njohim përndryshe kurrë nuk do t’i njihnim vullnetarisht; disa të tjerë i vlerësojmë për ndikimin që kanë pasur tek ne e disa të tjerë i duam dhe i konsiderojmë të pazëvendësueshëm. Janë të pakët këta të pazëvendësueshmit. I numërojmë në gishta. Shumica absolute e njerëzve që i njohim janë aty për pak çaste pastaj zhduken, sikur të mos ekzistonin kurrë.

Kemi të njëjtin raport me librat: shumica absolute e librave janë plehra, por ne që i duam librat i lexojmë edhe ato ngaqë vetëm kështu, e ngushëllojmë veten, mund ta gjejmë perlën në atë grumbull plehrash. Nuk bëhemi më të mençur, por i lexojmë thjeshtë sepse për të arritur në parajsë duhet kaluar nëpër ferr. Ferr është libri pleh.

Këta që po e fetishizojnë librin sikur të ishte një e mirë në vetvete, sikur çdo libër të ishte perlë, këta ose nuk kanë lexuar libra mjaftueshëm për ta kuptuar që shumica janë plehra dhe leximi i tyre është humbje kohe, ose duan të paraqiten të kulturuar dhe nuk kanë guximin ta thonë atë që mendojnë.

Po të kisha mundësi do t’i çlexoja shumicën e librave që i kam lexuar dhe do ta kaloja atë kohë me gjëra tjera shumë më të denja: do i rilexoja kryeveprat monumentale dhe të pavdekshme të njeriut.

Të pakët janë ato libra që ta dërrmojnë mendjen dhe të bëjnë të flasësh me veten. Të pakët janë edhe shokët e vërtetë dhe të sinqertë. Ne lexojmë për të kompensuar për miqësinë që nuk e kemi, për të mbushur boshllëkun që vetëm miku i vërtetë mund ta plotësojë. Me një fjalë, njeriu lexon sepse nuk është i lumtur. I lumturi nuk ka nevojë për libra. Lumturia mbulon barrën e qenies.

Vetëm shpirtërat e torturuar shkruajnë kryevepra të papërsëritshme dhe vetëm shpirtërat e etur për lumturi (jo për dituri sepse dituria mund të fitohet edhe përmes mënyrave tjera…) e kalojnë gjithë atë kohë në plehra. Të tjerët shkruajnë sepse e kanë profesion, apo për t’u bërë të famshëm dhe të pasur apo për të akumuluar kapital epistemik që pastaj të fitojnë të drejtën të flasin me më shumë autoritet. Këta të fundit kurrë nuk prodhuan ndonjë vepër të jashtëzakonshme. Njëjtë si motivet e tyre, edhe veprat e tyre janë të lehta. Vetëm të pastrehurit në botë, të cilët ndiejnë presionin e qenies dhe kohës mbi ta shkruajnë vepra monumentale: veprat e tyre janë librat e vetëm që meritojnë të lexohen dhe rilexohen dhe të rilexohen ad infinitum.

Ata që ta torturojnë mendjen shkruajnë sepse ata duan ta eksternalizojnë tundimin dhe torturën e mendjeve të tyre në të tjerët. Libri i mirë është torturë. Libri i mirë nuk të bën të lumtur. Ajo pritet nga libri i keq. Libri i keq të bën ta harrosh ekzistencën dhe barrën e saj. Por lumturia është e domosdoshme.

Sa më e madhe lumturia aq më e vogël dëshira për të lexuar. Sa më e madhe barra e qenies dhe kohës aq më monumentale vepra dhe aq më i pakënaqur lexuesi.

Shkruan: Sead Zimeri, (Universiteti Goethe, Frankfurt)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button