Një delegacion i APKE do të monitorojë zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale

Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, së bashku me vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) do t’i vëzhgojnë zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton korrespodenti i AIM nga Strasburgu, njofton Nova Tv.

Delegacioni do të takohet me kryetarin e Kuvendit, kandidatët për zgjedhje dhe përfaqësues të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, para se t’i vëzhgojnë zgjedhjet më 21 prill.

Deputetja franceze Mari Kristin Dalo nga Partia Republikane do të kryesojë delegacionin e APKE dhe sipas saj do të jetë një mundësi për të zbuluar edhe vendin.

“Së pari do ta zbuloj vendin sepse nuk e njoh. Besoj se është gjithashtu me interes. Të zbulosh një vend do të thotë të zbulosh mënyrën e funksionimit, zakonet dhe të veçantat e tij. Nga pikëpamja e APKE do të shohim se si ka kaluar faza parazgjedhore, ndërsa në ditën e zgjedhjeve si zhvillohet votimi për zgjedhje të presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Kristin Dalo.

Mari Kristin Dalo, njëkohësisht thekson se delegacioni posaçërisht do t’i kushtojë vëmendje disa elementeve e jo vetëm të vëzhgojë procesin zgjedhor.

“Edhe mediat, mënyra si shprehen ato, a janë të lira. Pastaj si shprehet opozita, cili është vendi real i politikanëve në institucionet e Maqedonisë, e pastaj do të përgatitim raport, konkluzionet e para të të cilit do të prezantohen në një konferencë shtypi të hënën për atë se çfarë kemi vënë re. Delegacioni mbërrin në Maqedoni nesër ndërsa largohet të martën, që është një periudhë e shkurtër, por ne kemi shprehi të tillë, saktësisht e dimë se çka duhet të shikohet dhe mënyra si zhvillohen punët. Gjithashtu kemi shumë takime përgatitore para misionit tonë vëzhgues, të cilat do të na mundësojnë të shohim se si është zhvilluar fushata parazgjedhore”, thotë deputetja franceze Mari Kristin Dalo.

Një konferencë e përbashkët për shtyp është planifikuar për të hënën, më 22 prill, në Shkup, ndërsa raporti për monitorimin e zgjedhjeve presidenciale në vendin tonë do të paraqitet në seancën e qershorit të APKE në Strasburg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button