Thaçi: Në takimin në Berlin nuk do të ketë propozim për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka deklaruar se takimi ne Berlin i liderëve të Ballkanit Perëndimor do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Takimi në Berlin i liderëve të Ballkanit Perëndimor pritet të mbahet më 29 prill, ndërsa nikoqir do të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në rrjetet sociale, presidenti Thaçi bëri të ditur se nga ky takim pritet të dilet me një deklaratë të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila sipas tij, do të “rikonfirmojë së paku perspektivën evropiane të rajonit, thellimin e reformave, sidomos sundimin e ligjit, si dhe do të theksoj domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi”, tha Thaçi.

Ai konsideroi se do të ishte dëshpëruese në rast se në këtë takim Franca dhe Gjermania dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi”, tha Thaçi.

Pjesëmarrjen në takimin ne Berlin, përveç palës kosovare, tashme e kane konfirmuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button