Bilall Kasami nuk është bërë fotograf i Blerim Rekës

Burimi: KriThink

Zgjedhjet presidenciale kanë sjellë në vëmendjen e mediave aktivitetet e kandidatëve dhe kanë bërë që shumë veprime të tyre të bëhen lajme. Ndasitë janë kryesisht politike dhe kjo reflektohet lehtë te mediat kur mbajnë anën e njërit ose kandidatit tjetër, duke pasur prapavijë politike. Autori në tekstin e recensuar ka synuar diskreditimin e kandidatit Blerim Reka.

Fotografi nga teksti që recensohet
Fotografi nga teksti që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Bilall Kasami “bëhet” fotograf i Blerim Rekës

Data dhe koha e publikimit: 05.04.2019, 22:38

Data e recensionit: 17.04.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Ironi dhe komente

Titulli i lajmit merr vëmendjen e lexuesve sepse Bilall Kasami është kryetar partie. Autori ka ironizuar duke shkruar më pas “Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami … mbërmë në tubimin e tyre në Saraj është bërë edhe fotograf i Rekës.”

Teksti është ndërtuar me komente dhe konstatime. Duke pasur parasysh opinionin publik të lexuesve shqiptar për VMRO-DPMNE-në dhe, si rrjedhojë, edhe për kandidaten e tyre Gordana Siljanovska, autori krahason dhe madje krijon lidhje mes dy kandidatëve, Rekës dhe Siljanovskës. Ai i akuzon të dy se kanë qëllim për të izoluar vendin dhe të pengojnë integrimet.

“Ndryshe kandidatura e Blerim Rekës për president të shtetit e ndihmon VMRO-DPMNE përkatësisht kandidaten Gordana Siljanovska. Qëndrimet e fundit publike të të dy kandidatëve nxjerr në pah afërsinë e tyre dhe strategjinë për të izoluar vendin dhe për të penguar anëtarësimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian. SIljanovska në një postim në rrjetet sociale shkruan ku ka komentuar debatin e parë në mes kandidatëve për president ka dhënë se voton për Blerim Rekën, përcjell TS… Reka mbrëmë theksoi se ai personalisht është angazhuar për mos ndryshimin e emrit të vendit.” shkruhet në tekst.

Nëpërkëmbje standardesh etike

Pa marrë parasysh se cili është qëllimi i autorit, ai nuk guxon të publikojë informacione të pakonfirmuara ose, të paktën, të pambështetura me disa burime. Ngjashmërinë e strategjisë së dy kandidatëve, nëse ajo ekziston, duhet ta konstatojnë ekspertë, njohës të shkencave të komunikimit, analistë politik, por jo vetë gazetari. Në rastet kur gazetari dëshiron të japë komentet e tij, kjo duhet të potencohet dhe të jetë e qartë për lexuesit.

Kodi etik i gazetarëve:

“Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.”

Teknikat e manipulimit

Autori ka përdorur teknikën e “analogjisë së rrejshme”. Se Reka dhe Siljanovska kanë strategji të njëjtë për izolimin e vendit autori “e vërteton” vetëm me faktin që Siljanovska ka qenë e gatshme të votojë Rekën në anketën pas debatit televiziv mes kandidatëve. Më vonë është bërë edhe një shtrembërim i deklaratës së Rekë për emrin duke shkruar “Reka mbrëmë theksoi se ai personalisht është angazhuar për mos ndryshimin e emrit të vendit” por duke mos e sqaruar kontekstin në të cilin ai e ka thënë këtë. Kjo nënkupton që autori është bazuar edhe në “dëshmi selektive”, që është një metodë tjetër manipulimi.

Për lexuesit

Tekstet e lajmeve profesionale kanë informacione të bazuara në fakte, kanë burime, kanë citate, janë të paanshme dhe objektive. Tekstet që nuk bazohen në këto standarde, si teksti i analizuar, janë publikuar me qëllime të tjera. Në këtë rast, diskreditohet kryesisht kandidati për president Blerim Reka dhe si pasojë, edhe kreu i partisë që e mbështet kandidaturën e tij, Bilall Kasami.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button