Do të motivohen financiarisht kuadrot e Maqedonisë së Veriut, që të përfshihen në bisedimet me BE-në

Do të motivohet financiarisht kuadri i cili do të përfshihet në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Këtë e deklaroi ministri i MSHIA, Damjan Mançevski, në lidhje me deklaratën e tij se Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitete dhe resurse për procesin negociues me Bashkimin Evropian (BE), njofton Portalb.mk.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) bashkë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), Sekretariatin për Çështje Evropiane (SÇE) dhe Ministrinë e Financave (MF) po punojnë për gjetjen e kuadrove të cilët do të përfshihen në procesin e bisedimeve me Bashkimin Evropian.

“Kjo është diçka që do të duhet të punojmë në disa muajt e ardhshëm. Të reagojmë shpejtë dhe vlerësoj se do të jemi të gatshëm që t’u përgjigjemi kërkesave. Tani për tani gjendja është mirë dhe në këtë fazë kemi kuadër, tani duhet të punojmë në kapacitetet për sektorët e tjerë, gjegjësisht në fazat e ardhshme kur do të hapen kapitujt tjerë”, tha Mançevski.

I pyetur se si do t’i motivojnë kuadrot që të kyçen në këtë proces, ai tha se po punojnë në atë drejtim dhe një ra ndër motivet do të jetë ai financiar.

“Njëri ndër aspektet është motivimi financiar, por nuk është gjithmonë ajo. Ndonjëherë njerëzit kërkojnë avancim profesional dhe mundësi që të kyçen në këtë proces historik. Do të punohet në disa fusha, që të tentojmë të tërheqim njerëz jo vetëm nga jashtë, por edhe brenda institucioneve. Dinamika do të bëhet sipas fazës së hapjes së kapitujve”, tha Mançevski, duke mos treguar se sa është numri i kuadrove që nevojiten.

Paraprakisht, Mançevski apeloi deri te të gjithë qytetarët, ekspertët, personat që punojnë në sektor joqeveritar, në kompanitë private, të mendojnë dhe të kyçen në këtë proces, pasi që ka mungesë të resurseve. Ai tha se Qeveria është e shqetësuar seriozisht për fazat tjera më të mëdha në procesin e bisedimeve.

Ndryshe, në takimin jo-formal me organizatat joqeveritare “Fondacioni për Shoqëri të Hapur – Maqedoni” dhe “Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane”, u tha se kapacitetet nga administrata publike, duhet që të shfrytëzohen në procesin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

“Në Maqedoni ekzistojnë kapacitete të ndërtuara në administratën publike të cilët deri më tani kanë marrë pjesë në proceset euro-integruese. Për atë është e nevojshme të shfrytëzohet personeli tek i cili është investuar, por edhe kapaciteti i ministrive të institucioneve tjera shtetërore, i ndërtuar nëpërmjet grupeve punuese NPPA, IPA-strukturën dhe nënkomitetet. Pastaj çdo ministri ose organ shtetëror duhet që të bëjë identifikim të brendshëm të kapaciteteve në lidhje me bisedimet me BE-në dhe të propozojë kuadro të cilët do të punonin në zbatimin e këtij procesi. Është e nevojshme që të sigurohen kanale përkatëse dhe rregulla për komunikim mes grupeve punuese dhe strukturën negociuese dhe administratës publike të mbetur”, thuhet në dokumentin e prezantuar nga organizatat civile.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button