Tuxharët e atdheut

Ka kohë që kur patriotët e strehimores së Samuel Johnson-it nisën të shkumojnë se gjoja shekulli XXI është i shqiptarëve. Sipas tyre, ky është shekulli i bashkimit kombëtar, shekulli i ndreqjes së padrejtësive historike të fuqive të mëdha, të cilat me Kongrese e Konferenca farse ndërkombëtare copëtuan trungun e etnisë sonë në favor të fqinjëve.

Personalisht, nuk i kam besuar kurrë atdhetaritë eterike pa mbulesa të kapërdijshme nga mendja racionale. Nuk i kam besuar për shkak të realitetit konstant gri, për shkak të hajnive të politikës, për shkak të dyshimit se kasnecët e mrekullive janë në shërbim të pushteteve të këqia, që kanë për mision vënien e popullit në gjum me shpresa të rreme, pikërisht përgjatë periudhës që po njeh dezintegrime dhe përçarje të shqiptarëve në vija të rëndësishme, madje ekzode të papara më herët.

Po sjell në vijim ca të dhëna se shekulli XXI, përkundër përparimeve në disa fusha të jetës, nuk mund të konsiderohet shekulli ynë, të paktën gjer më tani.

Po e nis me serbët, të cilët edhe pas gjenocidesh të papara të bëra ndaj nesh, arritën ta betonojnë statusin prej gjysëmshteti të Kosovës – ta bosnjizojnë veriun e saj, ta shndërrojnë pjesën tjetër në eksterritore kishash e manastiresh serbe, ta paralizojnë kuvendin me lista deputetësh pa votues dhe me disponim antishqiptar dhe së fundmi ta detyrojnë me shantazhe një pjesë të klasës politike e intelektuale të Kosovës që të kërkojë rindarjen e territoreve etnike me Serbinë e pangijshme me mollat tona të kuqe…

Për çudinë e çudirave, paralelisht ndërskamcave që po ia vë Kosovës shtet, oktapodi serb ka shtrirë tentakulat edhe në Shqipërinë londineze, në të cilën ia ka dalur t’i ruajë jatakët e vjetër. Kështu, nëpërmjet instrumentalizimit të minoritetit serb dhe shoqatave fantome joqeveritare, fillimisht në Shkodër e në Lezhë, pastaj në Libofsh e Hamil të Fierit u hapën paralele/ shkolla serbe, ku serbishtja mësohet sipas programeve mësimire të Serbisë. Ndërkaq, nëpërmjet shoqatash seksere si “Moraça-Rozafa” me seli në Shkodër, u shitën si mall tezgash qindra vajza nga veriu i varfër shqiptar për beqarët e moshuar të katundeve të braktisura serbe, të cilët nuk qenë të denjë për nuse bashkëkombase. Kjo, natyrisht, nuk i bën përshtypje një pjese të inteligjencisë shqiptare, në një kohë kur edhe televizione nacionale me shikueshmëri të madhe pagëzojnë emisione në serbishte…

Si fqinj të një tokeje mera, malazezët nuk mund të mos vepronin njësoj si serbët. Ndaj dhe shteti i tyre xhuxh bleu prej matrapazëve tanë 12.000 hektarë tokë, për t’ia bashkangjitur Plavës e Gucisë dhe viseve të tjera të banuara prej shekujsh me shqiptarë, një pjesë e të cilëve është detyruar të ikë përtej Atlantikut, kurse të mbeturit po boshnjakëzohen me ndihmën e klerikëve antishqiptarë.

Meqë jemi të vetmit që shesim pa dhimtë territoret e atdheut, një herë njëra, pastaj qeveria tjetër shqiptare, vendosën që t’u falin grekëve 12 milje det të pasur me naftë. Pushtetarët e korruptuar tolerojnë me vite shkeljen e sovranitetit të shtetit shqiptar nga shovinistët grekë, që hynë aty siç hyhet në hanin pa të zot. Në këso rrethanash, paramilitarët e Agimit të artë nuk e kanë vështirë të vizatojnë kufijtë e Vorio Epirit me përdhosje e konvertime varresh shqiptare në varre të rrejshme ushtarësh grekë. Për këto bëma, grekët e kanë një arsye të fortë, e cila i shtynë të bërtasin: kapeni hajnin!, përpara se të akozohen për uzurpimin e tokave shqiptare, për pushtime krahinash të tëra, për asimilimin e dhunshëm në grekë të qindra mijëra arvanitasve, për dëbimin me gjenocid të çamëve nga vatrat e tyre…

Së fundmi, pas pavarësimit të saj në vitin 1991, edhe Maqedonia (tani e Veriut) e gjeti shtegun e barazimit të gati gjysmës së popullatës së saj të përbërë prej shqiptarëve me 4.000 gollobërdasit e  Liqenasit (aq sa pranoi me gjallje në një emision në TVM2 mësuesi i tyre i njohur Nikolla Berovski), që, me vendim të Parlamentit shqiptar u ripagëzua në Pustec. Kuptohet, as në këtë rast nuk u kërkua për kundërpeshë ndërprerja e sllavizimit të shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme, të nisur nga Serbia e Pashiqit; lejimi i përdorimit të Abetares së unifikuar shqiptare; zëvendësimi i emërtimit fyes të kombit shqiptar si popull që përbën 20% të numrit të popullatës së vendit dhe statusi i etnisë shtetformuese aty ku jemi më autoktonë se kushdoqoftë tjetër. Mjerisht, atë që nuk arritën ta bëjnë politikanët shqiptarë, nuk e bën dot as shteti Amë, i cili ka dhe intelektualë gjysmagjelë e medie të verdha, që madje dhe qytetin e alfabetit shqiptar – Manastirin, e quajnë Bitolje, kurse bashkëkombasit e tyre, që i falën kombit dy nobelistë, maqedonci.

Tani besoj mund të konstatohet pa droje se, para së gjithash, për faj tonin, shekulli XXI nuk është i shqiptarëve. Kjo sepse jemi të vetmit në botë që shesim  atdheun si shakllabanët e Fishtës dhe zuzarët e Konicës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button