Në Shkup u shënua Dita e Drejtorisë së Doganave

Drejtoria e Doganave vitin e kaluar ka arkëtuar gjithsej 1,43 miliardë euro që është për 160 milionë euro më shumë, respektivisht 11 për qind më shumë në krahasim me vitin 2017, tha sot drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski, me rastin e shënimit të 14 Prillit, Ditës së Drejtorisë së Doganave, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut në manifestimin me rastin e 14 Prillit, Ditës së Drejtorisë së Doganave, promovoi konceptin e ri “Dogana digjitale”, ndërsa gjithashtu ka prezantuar raportin vjetor për punën e Drejtorisë së Doganave në vitin 2018.

Në ceremoninë e inaugurimit me rastin e shënimit të 14 Prillit, Ditës së Drejtorisë së Doganave, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryeministri Zaev tha se Drejtoria e Doganave dhe të punësuarit në dogana paraqesin kontaktin e parë me vendin tonë dhe ata janë fytyra e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Si rezultat i punës së ndershme dhe me përkushtim, Drejtoria e Doganave u tregua si pjesëmarrës serioz dhe prej më të rëndësishmëve në mbushjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit tonë. Këto fakte në vete flasin se sa është i rëndësishëm roli i Drejtorisë së Doganave në krijimin e ambientit ekonomik të shtetit”, theksoi Zaev.

Zv/ministrja e Financave, Shirete Elezi, në fjalimin e saj tha se Ministria e Financave dhe Drejtoria e doganave bashkarisht do të vazhdojnë t’i zbatojnë reformat në këtë sektor.

“Vetëm së bashku mund t’u përgjigjemi sfidave të reja që na presin. Digjitalizimi modern i Drejtorisë së Doganave do të përmirësojë tregtinë dhe transportin dhe me këtë edhe ekonominë tonë në përgjithësi”, theksoi Elezi, duke shtuar se obligimi i tyre është që të sigurojnë sistem të sigurt, të drejtë dhe të qëndrueshëm, ndërsa këu rolin qendror e ka Drejtoria e Doganave.

Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski, në manifestimin e sotëm prezantoi raportin vjetor për punën e Drejtorisë së Doganave për vitin 2018.

“Nëse vitin e kaluar paralajmëruam digjitalizimin, këtë vit na pret realizimi i digjitalizimit në përputhje me vizionin tonë që të bëhemi drejtoria udhëheqëse në rajon sipas standardeve më të larta evropiane, e njëkohësisht të mbesim besnik mbrojtjes së interesave financiare të shoqërisë sonë”, tha Tanasoski, duke theksuar se Drejtoria e Doganave vitin e kaluar ka arkëtuar gjithsej 1,43 miliardë euro që është për 160 milionë euro më shumë, respektivisht 11 për qind më shumë në krahasim me vitin 2017.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button