Kosovë, papunësia nuk i pengon zyrtarët publikë të mbajnë deri në tetë vende pune

Ndonëse Kosova vlerësohet vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, zyrtarë të lartë të institucioneve shtetërore, të cilët prijnë për kah pagat e larta, nuk e kanë problem të sigurojnë dhe mbajnë 2 e më shumë vende pune, apo ka edhe raste kur një zyrtar ka tetë vende pune.

Sipas raportit të fundit të Publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, thuhet se janë identifikuar 1873 zyrtarë të lartë publikë që ushtrojnë më shumë se një funksion, transmeton REL.

Sipas agjencisë, një zyrtarë i lartë ushtron tetë funksione, 2 persona kanë nga shtatë pozita të ndryshme, po ashtu 2 zyrtarë të tjerë mbajnë gjashtë vende pune, 13 zyrtarë mbajnë për të njëjtën kohë 5 funksione, 37 të tjerë gëzojnë katër puna të ndryshme, me nga tre pozita janë 366 zyrtarë, kurse me nga dy funksione në Kosovë janë 1451 zyrtarë të lartë shtetërorë.

Agjencia Kundër Korrupsionit
Agjencia Kundër Korrupsionit

Kjo praktikë, konsiderohet jo vetëm e kundërligjshme, por edhe e dëmshme për institucionin përkatës, pasi që zyrtarët me më shumë se një vend pune, vlerësohet se nuk mund të jenë të efektshëm.

Arton Demhasaj nga organizata ÇOHU, për Radion Evropa e Lirë, thotë se numri i zyrtarëve publik me funksione të shumëfishta mund të jetë edhe më i lartë. Kjo praktikë, nënvizon ai, është edhe konflikt interesi nga i cili paraqiten shumë probleme.

“Njëkohësisht nuk është logjike që një zyrtar të mbajë disa pozita sepse nuk mund të jetë i efektshëm në asnjërën nga pozitat që i mban. Edhe përkundër kësaj, në bazë të ligjeve tjera, që rregullojnë këto çështje, tregojnë se në momentin që personi merr kontratën e punës, është i obliguar që tetë orë të punojë në vendin e punës. Kështu që është e pamundshme të mbahen në të njëjtën kohë disa pozita. Kjo është praktikë e dëmshme sepse dëmtohet institucioni përkatës”, tha Demhasaj.

Edhe Mexhide Demolli – Nimani nga Lëvizja “FOL” në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se me mbajtjen e pozitave të shumëfishta, zyrtarët e lartë nuk mund të jenë të suksesshëm. Sipas saj, ky fenomen pengon punësimin e personave të tjerë të papunë e që në Kosovë është numër jashtëzakonisht i lartë.

“Fatkeqësisht, këtu njerëzit e pushtetshëm, figurat më të mëdha në partitë politike mund të kenë më shumë se dy pozita. Do të ishte mirë të ketë një analizë se këta zyrtarë i mbajnë këto pozita sepse nuk ka kuadro tjera. E që nuk ekziston një situatë e tillë kur kemi parasysh numrin e madh të të diplomuarve në institucionet e larta të arsimit në Kosovë dhe jashtë saj të cilët presin më vite të tëra për një vend pune në institucionet publike”, tha Demolli.

Në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, thuhet se gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari duhet të veprojë në mbrojtje të interesit publik dhe nuk ka të drejtë që interesin e tij privat ta vë para interesit publik.

Konflikti i interesit lind nga një rrethanë në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtare.

Në këtë ligj, ndër të tjera thuhet se zyrtari i lartë mund të ushtrojë punë në lëmin e shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare, nëse nuk parashihet ndryshe me ligje tjera.

Arton Demhasaj, thotë se shoqëria civile ka kërkuar nga ekzekutivi që të ndryshohet ligji në mënyrë që mos të lejohet punë tjetër për zyrtarët e lartë shtetëror.

“Por, nuk kemi hasur në vullnet politik të partive politike për të përkrahur një çështje të tillë. Kështu që kjo praktikë ka mbetur duke u vazhduar që konsideroj se është shumë e dëmshme për administratën publike në përgjithësi”, tha ai.

Pagat e zyrtarëve të lartë shtetëror edhe ashtu konsiderohen të larta nga shoqëria civile. Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, vitin e kaluar ka marrë vendim që të rrisë pagat e kabinetit qeveritar. Paga e kryeministrit të Kosovës është 2950 euro në muaj, zëvendëskryeministrave 2,500 euro, ministrat në qeverinë e Kosovës pagë mujore kanë 2,000 mijë euro, kurse zëvendësministrat që janë rreth 80 pagë mujore marrin 1,150 euro në muaj.

Kurse një rritje e pagave për shumicën e punonjësve në sektorin publik ka ndodhur edhe me miratimin e Ligjit për Paga, i cili pritet të hyjë në fuqi në fund të këtij viti.

Në anën tjetër shkalla e papunësisë në vend, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 29.6 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 55.4 për qind

Nga kjo shifër mbi 19 për qind e të papunëve janë persona që kanë përfunduar arsimin terciar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button