Lista Serbe e quan presion ndaj serbëve shkarkimin e ministrit Teodosijeviq

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka reaguar pas shkarkimit të ministrit të Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq nga ana e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, transmeton REL. 

“Po vazhdon presioni i liderëve shqiptarë mbi popullin serb dhe Listën Serbe. Vendimi për ta shkarkuar, për shkak se ka thënë një të vërtetë, është dëshmia më e mirë se Prishtina nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Lista Serbe në reagimin e saj, e quan këtë veprim të autoriteteve të Prishtinës, si shkelje të të drejtave të njeriut dhe shembull të jotolerancës etnike.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se deri te vendimi për shkarkimin e ministrit nga komuniteti serb, erdhi pas disa komenteve të bëra nga Teodosijeviq, lidhur me masakrën e Reçakut.

“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Në Zveçan, gjatë një organizimi për të shënuar 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, ka thënë se arsye për “agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

“Ishin ata shqiptarët terroristë qe e kanë trilluar këtë dhe që kanë bërë krimet më të rënda në Kosovë për të cilat askush deri më sot nuk është përgjigjur”, ka thënë ministri i shkarkuar, Teodosijeviq.

Një ditë më parë, Zëri i Amerikës në gjuhën serbe raportoi për diskriminimin e grave në raport me meshkujt në jetën shoqërore të Kosovës. Për këtë, si shembull ishte marrë shkarkimi i zëvëndësministres së Drejtësisë nga Lista Serbe, Vesna Mikiq për shkak të qëndrimeve të saja lidhur me bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi. Zëri Amerikës tha se e njëjta nuk kishte ndodhur edhe me ministrin Tedosijeviq i cili kishte qëndrime të njëjta për NATO-n.

Në muajin mars, kryeministri Haradinaj kishte shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi ajo kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button