Borisov: Kufiri i përbashkët me Turqinë mbrohet mirë, por me Greqinë problematik

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov deklaroi se “Kufiri ynë i përbashkët me Turqinë mbrohet mirë për shkak se zbatohen marrëveshjet tona të përbashkëta, por ka probleme me Greqinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Borisov ka zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes, Krasimir Karakçanov dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Mladen Marinov.

Në një deklaratë nga Qendra për shtyp e kryeministrisë në lidhje me takimin thuhet se është diskutuar për tensionet e shkaktuara nga emigrantët e parregullt në rajonin e Selanikut si dhe masat që mund të marrë Bullgaria e cila është kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian (BE).

“Në rast të një krize të papritur emigrimi, Bullgaria është e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme teknike dhe përforcime me 3.000 personel ushtarakë në kufirin tonë të përbashkët me Greqinë”, tha Borisov duke vënë në dukje se tensionet e emigrimit janë rritur në prag të zgjedhjeve për Parlamentit Evropian, në një periudhë kur emigracioni i parregullt në Evropë është ulur me 95 për qind.

“Kufiri ynë i përbashkët me Turqinë mbrohet mirë për shkak se zbatohen marrëveshjet tona të përbashkëta. Por, ka probleme me Greqinë, partnerin tonë në BE. Xhandarmëria aktualisht ndodhet në atë kufi. Edhe ushtria jonë është e gatshme. Ne po bëjmë përforcimin e nevojshëm teknik dhe të personelit. Qëllimi ynë është të mbrojmë shtetin tonë”, tha Borisov.

Ministri i Mbrojtjes, Krasimir Karakçanov tha se vazhdon rreziku i hyrjes së grupeve të emigrantëve të parregullt si nga Turqia ashtu edhe nga Greqia. “Ministria e Mbrojtjes në rast nevoje është e gatshme të sigurojë personelin e nevojshëm, mbështetje teknike dhe logjistike”, tha ai.

Ministri i Brendshëm Marinov tha se në organizimin e Drejtorisë së Policisë Kufitare janë kryer stërvitjet e nevojshme në rajonet kufitare dhe janë dërguar përforcime në zonat kufitare.

Bullgaria ka vendosur gardh me tela kundër hyrjes së emigrantëve të parregullt në kufirin e përbashkët tokësor prej 274 kilometra me Turqinë. Ndërsa nuk ka masa të ngjashme në kufirin e përbashkët me fqinjin tjetër Greqinë e cila është partner në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button