Këneta Akgol në Turqi, destinacion i mijëra flamingove

Këneta Akgöl në Konya të Turqisë, me një sipërfaqe prej 700 hektarësh, ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve pasi shumë flamingo kanë vërshuar drejt këtij pellgu ujor, shkruan Anadolu Agency (AA).

Flamingot, shpendë që jetojnë në Afrikë, Azi dhe Evropën Jugore, këtë vit kanë arritur herët në pellgun më të madh ujor të Rajonit të Anadollit Qendror, kënetën Akgöl, që ndodhet në afërsi të qytetit Ereğli të provincës Konya.

Kënetat në Turqi, që janë destinacion i shpendëve migrues, janë mbushur me ujë pas reshjeve të fundit në vend. Akgöl, pellg me shumë lloje të shpendëve, ka ofruar një spektakël vizual me numrin e madh të flamingove që kanë migruar nga Afrika e Veriut.

Deri në fund të prillit, sa do të qëndrojnë flamingot, rajoni bëhet fokus i shumë fotografëve dhe të apasionuarve pas botës shtazore.

Mehmet Görür, fotograf i cili gjatë tërë vitit shkrep fotografi të natyrës në Akgöl, tha për AA se në Akgöl gjenden specie të shumta të shpendëve dhe tha se në këtë pellg kanë mundësi të observojnë dhe të shkrepin fotografi të këtyre specieve.

“Kemi parë shumë specie. Përveç llojeve të patave, kemi observuar edhe mijëra flamingo. Këneta Akgöl është hapësirë shumë e gjerë në Konya dhe një nga vendet kryesore ku patjetër ndalen shpendët gjatë rrugës së migrimit. Vendi ofron mundësi të papara për vëzhguesit dhe të apasionuarit pas natyrës”, tha Görür.

Ai shtoi se Akgöl thahet në tërësi gjatë periudhave të thatësirës në stinën e verës dhe se për ruajtjen e kënetave janë duke u përgatitur projekte, të cilat, siç tha ai, duhet të funksionalizohen sa më parë.

Në kënetën Akgöl jetojnë 220 specie të shpendëve, përfshirë flamingot, shqiponjën e artë, lejlekun, sokolin, pelikanin e bardhë dhe lloje të ndryshme të patave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button