“Romët janë të hareshëm, me muzikë i harrojnë vështirësitë”

Republika e Maqedonisë së Veriut është një shtet multietnik në të cilin jetojnë komunitete të ndryshme etnike, në mesin e të cilëve edhe romët, të cilët sot në mbarë botën me një shumëllojshmëri të aktiviteteve informative, kulturore dhe artistike të karakterit argëtues, shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Romëve.

Ekipi i AA-së vizitoi Komunën e Shuto Orizares, e cila është e vetmja komunë në Evropë, në të cilën kryetari i komunës është rom.

Kurto Dudush, kryetari i kësaj komune thotë se 8 Prillin tradicionalisht e festojnë me shumë njerëz, njerëz të shquar që flasin për rëndësinë e Ditës Ndërkombëtare të Romëve dhe me pjesëmarrjen e fëmijëve që pasurojnë dhe zbukurojnë përmbajtjen programore.

Duke folur për rëndësinë e kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Dudush tha se jo vetëm në Shuto Orizarë, por të gjitha vendet e tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku jetojnë romët, problemet janë identike. Midis tyre si probleme më të theksuara janë papunësia, strehimi apo jetesa në shtëpi të improvizuara, problemi me arsimin, dokumentet e identitetit dhe nevojën për zhvillimin e infrastrukturës në vendet ku jetojnë romët.

“Romët janë popull miqësor”

Në kontekstin e problemit të mungesës së dokumenteve të identifikimit, Dudush tha se në vitin e kaluar nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, punojnë në projekte të ndryshme në të cilat gjejnë njerëz pa dokumentacion dhe në mënyrë që të fitojnë sigurim shëndetësor dhe me mundësinë e përdorimit të të drejtave të tyre civile të përcaktuara me Kushtetutë.

Sipas tij, në Komunën e Shuto Orizares jetojnë rreth 23 mijë romë, por jozyrtarisht, thotë ai, kjo shifër është dy herë më e lartë.

Dudush thotë se ata janë duke u ngritur në një komunë shumëkombëshe, ku përveç romëve jetojnë rreth 5.000 shqiptarë dhe 1.000 maqedonas ndërsa bashkësitë tjera etnike janë në numër më të vogël.

“”Romët janë të njohur me atë se janë popull miqësor, përhapin dashuri kudo që jetojnë. Dua t’ua uroj Ditën Ndërkombëtare të Romëve, që të luftojnë për të drejtat e tyre. Të luftojnë kundër stereotipeve dhe diskriminimit. Të gjithë që janë duke punuar në institucione të angazhohen për të përmirësuar jetën e romëve dhe gëzuar festa e 8 Prillit”, tha Dudush në intervistën për AA.

“Të barabartë në mesin e të barabartëve”

Në kuadër të kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve u zhvillua një program kulturoro-artistik në sheshin e Shuto Orizares, ku u adresuan liderët politikë të romëve.

Simbolikisht, në shenjë të unitetit, në skenë së bashku u ngjitën deputi i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Amdi Bajram, kryetari i Komunës Dudush dhe kryetari i Partisë së Bashkuar për Emancipimin e Romëve, Nexhdet Mustafa.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ata thanë se romët duhet të bashkohen dhe të zgjidhin problemet bashkarisht. Po ashtu dërguan një mesazh të përbashkët për publikun rom, duke theksuar se ata duan të jenë “të barabartë midis të barabartëve”.

Romët dhe muzika

Një pjesë e pandarë e ngjarjeve rome është muzika, duke patur parasysh faktin e njohur botërisht se si komb, romët janë të njohur për dhuntinë e muzikës dhe argëtimit. Për disponimin e mirë të kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve u kujdesën muzikantë lokalë të Shuto Orizares, ndërkaq i ftuar i veçantë ishte trombisti Xhambo Agushev dhe orkestra e tij që e impresionuan audiencën.

Në një bisedë për AA, muzikanti i famshëm foli për karrierën e tij dhe talentin muzikor që romët posedojnë si veçori e tyre dalluese.

Agushev tha se me muzikë merret më shumë se dy dekada, nga mosha e tij shtatë-vjeçare, ndërsa në mënyrë profesionale ka filluar t’i bie trumbetës në moshën 11 vjeçare.

Siç tregon, dashuria për muzikën ka lindur që nga vitet e fëmijërisë së hershme, pasi që vjen nga një familje muzikore që dominoi zëri i trombit.

Tani orkestra e tij Agushev numëron 10 anëtarë

“Me orkestrën kemi performuar në mbarë botën. Tani po përgatitemi për në Amerikë në maj, kemi një turne atje me orkestrën, dhe ne performojmë kudo”, thotë Agushev.

Ai njoftoi se më 12 prill të këtij viti do të ketë një shfaqje në Stamboll, në kuadër të ngjarjes muzikore “Bejrut Performnas”.

“Ne kemi bashkëpunuar me Turqinë për një kohë të gjatë. Në ‘Beirut Performance’ do të marrim pjesë për herë të parë”, tha Agushev duke rikujtuar se në Turqi ka marrë disa çmime në festivalet muzikore, ndër të cilat “Festivali Ndërkombëtar i Klarinetit”, të mbajtur në Stamboll të vitit të kaluar.

Në bisedë, Agushev zbuloi se po përgatisin një album të ri muzikor për produksionin gjerman në Berlin, i cili pritet të dalë së shpejti.

Duke folur për romët si popull, tha se ata janë shumë të hareshëm.

“Në ditën e tetë të muajit prill kombi rom u njoh në mbarë botën. Mund të them se romët janë shumë të hareshëm. Dhe po që se kanë ndonjë probleme, ata e harrojnë me muzikë”, ka thënë Agushev.

Disa herë tashmë Agushev është shpallur “Trombi i parë në Maqedoni”, në një manifestim muzikor dhe argëtues të njohur.

Në vitin 2011, Agushev fitoi “Trombin e parë të botës” në Festivalin Ndërkombëtar të orkestrit të trombit në Guca të Serbisë.

Romët në Maqedoninë e Veriut 

Pjesëtarët e komunitetit rom janë pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2001 të njohur si një grup i veçantë etnik. Sipas regjistrimit të vitit 2002, në vend jetojnë rreth 53.879 romë, ose 2.66 për qind të popullsisë së përgjithshme, ndërsa disa organizata joqeveritare, duke u bazuar në hulumtimet e tyre, thonë se kjo shifër është më e lartë.

Në Komunën e Shuto Orizares, ku romët janë popullata shumicë, gjuha rome është zyrtare. Sipas pohimeve të zyrtarëve romë në Maqedoni, kjo është komuna e vetme në Evropë që kryetari i komunës është rom. Përveç në këtë komunë në 85 komunat në vend, në 50 sosh jeton komuniteti rom. Gjuha rome është gjithashtu zyrtare në Komunën e Kumanovës. Romët gjithashtu kanë përfaqësuesit e tyre në Parlament dhe një ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë vend, romët kanë emision televiziv dhe në radio i cili transmetohet në servisin mediatik publik (RTM), dhe gjithashtu mediat private në gjuhën rome.

Dita u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Seorock në Poloni, ku u mbajt Kongresi i katërt Botëror Rom i Unionit Ndërkombëtar Rom në kujtim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë të mbajtur në Chelsfild, pranë Londrës më 7-12 prill 1971.

Në këtë kongres u mor vendimi për himnin e romëve, për të cilin u zgjodh kënga “Gjelem, Gjelem” (Shkova, shkova) dhe vendimi i flamurit të romëve që përbëhet nga ngjyra e kaltër dhe e gjelbër që përfaqëson tokën dhe qiellin ndërsa në mes të flamurit është një rrotë që përfaqëson migrimin e romëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button