Islamofobia: Konteksti ballkanik dhe shqiptar (II)

Edhe në kontekstin ballkanik ka një kohë të gjatë që me shumë paragjykime, me një gjuhë të ashpër po flitet për rre­zi­kun islamik-musliman, duke u lançuar së pari ide për islamin radikal që po përhapet, për “ISIS-izimin, riturqizimin e këtyre trojeve”, dhe si pasojë, flitet për nevojën për një rekon­ku­is­të (rikryqëzim) të re, për deislamizim të Ballkanit përmes dëbimit të besimtarëve islamikë në Turqi, Arabi apo diku tjetër: në Islamistanin që s’ekziton.  Diskursi islamofobik ballkanik sul­monsimbolikën islame si ezanin, namazin, xhamitë, mbulesën, komunikimet me botën islame të ballkanasve. Me një fjalë po shfaqet një klimë e drojes patologjike nga islami dhe muslimanët.  Këtë e vërteto edhe raporti i SETA-s për 2017, që shënon një demonstrim të tërësishëm të racizmit strukturor anti-mysliman në fushën e punësimit, arsimimit, politikës, në sistemin gjyqësor, internet etj. Në këtë drejtim ja­në të involvuara figura nga politika, kultura, shkenca etj. që mus­limanët ballkanas i paraqesin si fajtorë pse janë trashëgimtarë të thesarit osman. Ndër osmanofobët është edhe regjisori Emir Kus­turica i cili ka treguar simpati ndaj Millosheviqit, e ka quajtur hero Karaxhiqin… dhe e minimizon numrin e të ekzekutuarve dhe grave të dhunuara në Bosnjë.

Sipas shënimeve mediale dhe të analizave diskursive ndër figurat që mbjellin frikën nga “vija e gjelbër”, që kultivojnë islamofobinë në Ballkan janë edhe Miroljub Jevtić, Sonja Jekić, Srđa Trifković, Tatijana Lazić, Ioannis Michaletos, Ismail Kadare, Aurel Plasari, Kas­triot Myftaraj, Pirro Misha, Mustafa Nano, Mirela Bogdani, Ve­ton Surroi, Arbana e Fahri Xharra, Blerim Latifi, ashtu edhe të huaj si Cristopher Deliso, Elizabeth Kendal, Sam Vaknin, Johnathan Widel, Russell Gordon, Kevin McCoy e të tjerë.

Në Bullgari vitin në vitin 2014 ka pasur sulme nga për­fa­që­su­esit e partisë Ataka ndaj xhematit të xhamisë së Sofjes, në Greqi “Agimi i Artë” bën një politikë fashizoide duke shpallur se synon eliminimin e elementit të huaj dhe islamik nga ky shtet. Është in­te­resante se ndaj ndikimit turk ka reagime edhe në mesin e bosh­njakëve siç është ai i F. Radonçiq, nga Partia për Ardhmëri më të Mi­rë, që thotë se s’mund të ketë reinkarnim të Perandorisë Osma­ne, se boshnjakët duhet të shpëtojnë nga mendësia kolonialiste… se për ta dikur ka vendosur Komiteti Qendror (PKJ), Vjena, Stam­bolli, e sot duhet të vetëvendosin (PTPC-Radio Televizioni i Re­publika Sërpskas). Në Bosnjë-Hercegovinë, gjegjësisht në Sa­ra­jevën e mbiquajtur “qendër e islamofobisë në Ballkan” (F. Ali­spa­hić), është aktive një fushatë mediale antiislame e udhëhequr nga mediat si Oslobodjenje, Nezavisne Novine dhe Slobodna Bos­na që në shënjestër e kanë bashkësinë islame, reisu’l-ulemanë dhe simbole të tjera islame.

Në Maqedoni si rast që shkaktoi reagime është Karnevali i Vev­çanit (2012), lidhje e mënyrës pagane me atë moderne të krem­timit, ku pati përqeshje e performim irritues ndaj vlerave isla­me si Kur’ani, hixhabi, çallma, xhubeja, namazi, sexhdeja, ku me një fjalë u kapërcye vija e kuqe e maskenbalit. Ishte një de­fi­lim degradues, aliazh ky pervers e i panatyrshëm mes shenjtërive dhe pornografisë që shkaktoi reagimin e popullatës myslimane gjithandej RM-së. Shpesh janë shënuar edhe mbishkrime (grafite) të vrerit antiislamik, kryqe në dyer të xhamive etj. Një rast tjetër ishte edhe deklarata e ministres së brendshme e cila pas ekze­ku­timit të pesë maqedonasve në liqenin e Smilkovcit, pa respektuar parimin juridik të prezumpcionit të pafajësisë, u shpreh se bëhet fjalë për akt të radikalëve islamikë, gjë që nxiti protesta të buj­sh­me të rinisë islamike të qytetit të Shkupit. Në Maqedoni ka edhe gazetarë si Milenko Nedellkovski (në Kanal 5 e Facebook) e La­tas dhe “intelektualë” si Toni Naunovski që kanë një diskurs të qar­të islamofobik (ky i fundit flamurin me dëshminë islame e quan të Al-Kaidës, flet për nevojën kthimin e kushtetutës dis­kri­mi­nuese të vitit 1991, për abrogim të Marrëveshjes Kornizë, për formimin e qeverisë njënacionale, për marrjen e nënshtetësisë një pjese të mirë të shqiptarëve/muslimanëve të Maqedonisë. Rasti më i fundit ishte ai të një të punësuareje në Ministrinë e Mbrojtjes (Llazaroska) që aprovonte veprimin e terroristit australian Tarrant (2019) duke shtuar madje se e meriton Çmimin Nobel.

Si shembuj të islamofobisë shqiptare mund të përmendim propagandën atntiotomane dhe prokatolike nëpër tekstet shkollore shqiptare, ku shtrohet teza se shqiptarët kanë kaluar në islame për shkak të trysnisë dhe forcës, ku afirmohen në mënyrë të njëanshme figura kristiane, sikur islamit shumëzohet me zero. Në letërsinë shiptare turku emëretohet si anado­llak që nënkupton kriminelin e zi, njeriun pasionant, injorant, me shpatën në dorë, manipulohet me termat sulltan e harem. Nëpër debatet e ndryshme televizive ka pasur raste kur minaret janë emërtuar si “raketa iraniane”, kurse nëpër shkrime gazetareske ka pasur edhe tipa maniakalë dhe të pamoralshëm që ezanin e kanë quajtur “qenlehje” dhe kanë kërkuar ndalim të islamit me ligj. Një shkrim me ngjyrime islamofobe dhe otomanofobe është edhe ai i Robert Papës, në të cilin mes tjerash thuhet: “Ka kohë që (Turqia) kërkon të rimarrë ndikimin në Bos­nje, Kosovë dhe Shqipëri. Ne duam të shkëputemi nga qytetërimi islamik, por na pengoi ‘plaku rrugaç’”. (Tema, 16.01.2013) Edhe shkrimi, “Orientalizmi i padëshiruar i gjuhës shqi­pe” ka ngjyrime islamofobike. Në të ai sulmon fjalët turko-ara­be në gjuhen shqipe dhe kërkon që fjalë si Allahu ekber, allah­ra­zolla, ehl-i zimmet, estakfurullah, tobestakfurullah të shmangen nga shqipja Shtypi i Shqipërisë viteve të fundit ka prodhuar tituj islamofobikë si “Rreziku islam për Shqipërinë”, “Islami është përhapur me terror dhe me dhunë në Shqipëri”, “Shqipëria depo e municionit isla­mik”, “Muslimanët shqiptarë janë pasardhës të haremeve të sull­ta­nëve”, “Allahu shkatërron kishat”, “Bijtë e ndarë të Allahut” etj. Në Kosovë, më konkretisht në Ferizaj janë shfaqur grafite ku kry­e­minsitri Thaçi kërcënohet me plumba duke u thirrur me fjalët “O Hashim turku…”, në një tjetër thuhet “Poshtë Xhamia e Re!”, shkri­me ku flitet për muslimanë me “mjekrat e tyre si tufa të mis­rit, me pantallona të shkurtër dhe kapela haxhinjsh”. Në Maqedoninë e Veriut islamofobia shqiptare është më e paktë (vetëm dy veta figurojnë në listën e Observer.al nga 32 të trekëndëshit Shqipëri-Kosovë-Maqedoni) dhe më latente, ndoshta për shkak të klimës më fetare në këtë vend, shfaqet tek tuk, nga disa individë e gazetarë që kanë një averzion ndaj “vetvetes kulturore.”

Marrë në përgjithësi, islamofobisë në Gadishullin Ballkanik dhe në trojet shqiptare i kontribuojnë shumë trendet globale, kriza e Lindjes së Mesme dhe pamjet prej andej, ngritja politike e partive të djathta në Europë, mediat e pabalancuara, penat arrogante dhe shumë faktorë të tjerë. Pasojat e kësaj fryme janë të rrezikshme, si planetarisht, por në veçanti në kontekstin shqiptar ku mund të krijohen tendosje në një sferë që ka qenë shumë e balancuar, raportet ndërfetare shqiptare; mund të shfaqen akte të dhunës, psikologji mosbesimi, panik, tendosje, frikë nga “tjetri religjioz”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button