Sozia e Gjorge Ivanovit

Jemi në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale, që, për nga zhurma, dallojnë prej zgjedhjeve parlamentare e lokale, sado që partitë politike edhe këto i shfrytëzojnë për matjen e potencialit të tyre elektoral.

Në garë janë tre kandidatë: Blerim Reka (kandidat i pavarur), Gordana Siljanovska Davkova (kandidate e VMRO-së opozitare) dhe Stevo Pendarovski (kandidat i koalicionit qeveritar), të cilët përpiqen të fitojnë besimin e votuesve, duke premtuar ditë më të mira për të ardhmen e vendit të braktisur tani më nga qindra mijëra të rinj.

Parë nga prizmi i atyre që kanë vendosur ta jetojnë jetën gjetiu, duket fare e parëndësishme se cili do të jetë kryetari i ardhshëm i vendit të mbetur bishti botës. Megjithatë, e keqja nuk njeh fund, ndaj është gjithsesi më mirë që njeriu i parë i presidencës të jetë substancialisht ndryshe prej Gjorge Ivanovit – kryetarit të gjertanishëm kryeneç, që, në vend se të ofrojë shembullin e respektimit të kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, u bë shkelësi i parë i tyre dhe ai që rrezikoi më seriozisht të ardhmen evropiane të shtetit të cilin e drejtoi me direktivat e VMRO-së gruevskiane.

Në një vend njerëzish racionalë, sigurisht që nuk do t’i shkonte mendja askujt të promovojë shpëtimin nga përmbytja biblike duke u thirrur në varkën e shpuar të Gjorges, por shteti ynë i dashur është paradox më vete, prandaj kërkon vota edhe zonja Gordana Siljanovska Davkova.

Kandidatja në fjalë e nisi kampanjën më herët se dy kolegët tjerë dhe duket se është më agresivja në mediet elektronike, veçmas në rrjetin social, ku e shkërmoqin jetën turmat brohoritëse të liliputëve që e konceptojnë veten për guliverë.

Për shumëkë mund të duket e pabesueshme se si një profesoreshë dhe një intelektuale me nivel shumë larg kualiteteve të kryetarit të gjertanishëm, ia lejon vetes të kandidojë me të njëjtin program dhe me të njëjtën mendësi mesjetare të tij? Por kjo nuk vlen edhe për njohësit e qëndrimeve kontraverze të Siljanovskës, veçmas atyre që lidhen me shqiptarët dhe të drejtat e tyre legjitime, për të cilat ekspertja e të drejtës kushtetuese nuk ka pushuar kurrë së foluri me zjarminë e lexueshme nga hëna.

Për të argumentuar të sipërthënën, mjafton të përmendim vetëm prononcimet e saj lidhur me ligjin për avancimin e përdorimit të Gjuhës shqipe, të cilën ajo kurrë nuk harron ta quajë gjuhë e 20-përqindëshit... Për eksperten e llastuar shqipja është makthi që i bën fytyrat kollpite para kohe. Për të është e papranueshme që mbledhjet qeveritare të funkcionojë me përkthyes. Ajo është gjitholloge dhe flet publikisht për gjithçka, por nuk ka bëzajtur gjë për zhagitjen 20 vjeçare të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, pa çka se promovohet si eksperte e të drejtës kushtetuese. Ajo është demokrate dhe flet me qesëndi për ligjet që thonë se shqiptarët MUND ta përdorin gjuhën e tyre në raste të caktuara, por është kundër sanksionimit të barabarësisë së Gjuhës sonë me ndryshim nenesh kushtetuese.

Asaj i dhemb shumë e dhëna se me ligjin e ri, qoftë edhe për shkak të një anëtari të vetëm shqiptar në një proces gjyqësor, ai (procesi) do të zhvillohet në dy gjuhë. Këtë ajo e quan kushtëzim, që e shndërron Maqedoninë në shtet binacional.

Ekspertes që pretendon të jetë kryetare shteti dhe që nuk ka pasur kurajë të denoncojë milionat e hedhur në projektin idiot Shkupi 2014, përnjëherësh i djeg buxheti që do të ndahet për funkcionimin e dygjuhësisë nëpër institucionet vendore dhe lokale.

Profesoresha e madhe ua kujton bashkëmendimtarëve se askush nga jashtë nuk e kushtëzon inkuadrimin e vendit në NATO dhe BE me miratimin e Ligjit për avancimin e gjuhëve. Ajo madje lavdërohet se ka qenë 8 vjet kryetare e një nënkomisioni për pakica në Komisionin e Venedikut, që, siç shprehet, nuk është vendtubim tregtarësh, por komision për demokraci e drejtësi. Por harron se sipas deklaratave dardha te kumlla, i bie që komisionet evropiane për demokraci drejtohen prej ekspertësh, që edhe popujt autoktonë që përbëjnë gati gjysmën e banorëve të ndonjë vendi, si puna jonë, duhet të trajtohen si pakica klasike kombëtare.

Më e keqja është se kandidatja për kryetare shteti ku jëtojmë edhe unë, ti, ne…, pavarësisht akrobatikave oratorike që vënë në gjum nevojlinjtë e cucllave, nuk e do vendin në NATO dhe BE. Asaj vazhdon t’i pengojë ndryshimi i emrit të shtetit, që si akt është përshëndetur prej gjithë fuqive të botës, hiq Rusinë, e cila ashiqare ka të tjera plane, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut po për gjithë Ballkanin. Shi për këtë, ajo trumbeton gjithandej kthimin e gjarëve aty ku ishin përpara Marrëveshjes së Prespës, me premtimin se vetëm kësisoj do të mbijetojë shteti, gjuha dhe kombi biblik maqedonas.

Është kjo njëra prej inkonsekuencave që e tradhëton zonjën Siljanovska, e cila në rastin e avancimit të Gjuhës shqipe u referohet institucioneve dhe personaliteteve të politikës ndërkpombëtare, që nuk e kushtëzuan Maqedoninë për hyrje në NATO dhe BE me plotësimin e të drejtave të shqiptarëve, kurse tani tmerrohet me deklaratat e burrështetasve të botës, të cilët e vlerësuan pa hezitim Marëveshjen e Prespës,  dhe ndryshimin e emrit të shtetit.

Për këto dhe për shumë shkaqe të tjera që nuk përmblidhen dot brenda kornizave të kolumnës sime, them se kandidatët me mendësi mesjete si Gjorge Ivanovi nuk i plotësojnë as kushtet elementare për të qenë kryetarë të një vendi që pretendon të jetë pjesë e NATO-s dhe Evropës  së bashkuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button