Tiranë, konferencë mbi klimën në Ballkanin Perëndimor

Konferenca me temë “Aksioni rajonal mbi klimën në Ballkanin Perëndimor- nxitje për akses në financime klimatike”, ka mbledhur në Tiranë zyrtarë nga vendet e rajonit, ndërsa konferenca ka vazhduar punimet në nivel teknik, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca synon identifikimin e prioriteteve të përbashkëta për rajonin e Ballkanit Perëndimor rreth programeve dhe projekteve për çështjet mjedisore, ndërsa pjesë e saj janë zyrtarë nga vendet e rajonit.

Konferenca organizohet nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit të Republikës Çeke, ndërsa ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Fatmir Matoshi, në një deklaratë për mediat folën rreth konferencës.

Delegacioni i Serbisë kryesohej nga ministri i Mjedisit, Goran Trivan, ndërsa konferenca ka vazhduar punimet në nivel teknik, dhe jo siç ishte planifikuar si konferencë ministeriale.

“Aktiviteti sot është i organizuar nga Kombet e Bashkuara nën rregullat dhe procedurat e Kombeve të Bashkuara, por si vend mikpritës i aktivitetit, unë ftova ministrin Matoshi. Konferenca do të diskutojë për një sërë problematikash që kanë të bëjnë me rajonin tonë, por ajo që është më e rëndësishme, thelbi i diskutimit të saj ishte sesi në vendet e rajonit do të bëhemi së bashku për të pasur mundësi që të paraqesim projekte të përbashkëta dhe për të përftuar nga fonde ndërkombëtare në mënyrë të përbashkët dhe kur vjen puna te fondet padyshim Kosova është pjesë e këtij diskutimi”, tha ministri Klosi.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Fatmir Matoshi, në deklaratën për mediat u shpreh se do të vazhdojnë në mënyrë bilaterale me donatorët të bisedojnë dhe paraqesin projekte konkrete të fushës së mjedisit. Ai shtoi se “Problemet mjedisore të Ballkanit Perëndimor janë shumë të mëdha dhe bota, sidomos shtetet e zhvilluara duhet ta kthejnë pak më tepër fokusin nga vendet tona në mënyrë që të jemi të gjithë së bashku më të suksesshëm në rrugën tonë për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm për njerëzit.”

Matoshi, rreth mosmarrëveshje për delegacionin e Kosovës në konferencë theksoi se “Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë më tepër me rregulla strikte të përcaktuara të Kombeve të Bashkuara të cilët kërkojnë që Kosova edhe më tutje të jetë e përfaqësuar nën siglën e UNMIK-ut, ose të përfaqësohet nga persona të Qeverisë së Kosovës, por të shoqëruar nga zyrtarë të UNMIK-ut, gjë që për Republikën e Kosovës është plotësisht e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më asnjëherë. Për këtë arsye konferenca më tepër do të zhvillohet në nivel teknik”.

Pjesë e konferencës dyditore janë zyrtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button