Kisella Voda ia “dredhi” Maqedonisë së Veriut

Arritëm një fitore të vogël, megjithatë një hap i madh për rënien e kësaj qeverie, kanë njoftuar këshilltarët nga VMRO-DPMNE, të cilët arritën që nga rendi i ditës të pjekin pikën që Maqedonia Veriore të gjendet në statutin dhe vulën e komunës, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

“Falë grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE, në komunën Kisella Vodë edhe më tej mbetet emri Republika e Maqedonisë”. Nën këtë titull partia opozitare VMRO-DPMNE publikoi ​​një njoftim partiak, në të cilën me tekst dhe video është publikuar deklarata  e Vesna Boshkovska, këshilltare nga VMRO-DPMNE.

“Kryetari i komunës Kisella Vodë duke iu referuar vendimeve të Qeverisë, ka propozuar të ndryshohet statuti i komunës ashtu që, së pari vula e komunës në vend të emrit të deritanishëm Republika e Maqedonisë të mbajë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Së dyti, propozohet që kudo përmendet fjala Republika e Maqedonisë të zëvendësohet me fjalën Republika e Maqedonisë së Veriut. Grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE dhe koalicionit për Maqedoni më të mirë, propozuan që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës gjë që u miratua unanimisht nga Këshilli i komunës së Kisella Vodës. Sot fitoi Republika e Maqedonisë.  Në komunën Kisella Voda edhe më tej mbetet emri Republika e Maqedonisë. Si një grup i këshilltarëve, unë dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që sot korrëm një fitore të vogël, por një hap të madh dhe paralajmërim për rënien e kësaj qeverie”, ka deklaruar Boshkovska.

Ligji nuk është subjekt i interpretimit të lirë

Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare me Greqinë më 12 shkurt, u krijua një grup punues ndërministror qeveritar i ngarkuar për koordinim dhepërmbushje të detyrimeveqë rrjedhin nga kjo marrëveshje. Grupi e ka publikuar dinamikën dhe afatet brenda të cilave të gjitha institucionet duhet të zbatojnë ndryshime në regjistrimet digjitale – logot, memorandumet, komunikimet elektronike, faqet e internetit, materialet e shtypura, dosjet, indikatorët, vulat, tabelat në nivel qendror dhe lokal… Afatet për një pjesë të këtyre detyrimeve kanë skaduar dhe tashmë janë realizuar, ndërsa për pjesën më të madhe ato ende rrjedhin.

A ka mundësi që në këtë mënyrë të pengohet zbatimi i detyrimeve ligjore – e pyetëm Dragi Rashkovskin, sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, i cili njëkohësisht e drejton edhe grupin ndër-sektorial.

“Nuk mundet. Ndryshimi i emrit është fakt. Ndryshimi i Kushtetutës është fakt. Obligim ligjor për të gjithë që të aplikojnë emrin e ri – është fakt. Kjo nuk është çështje e interpretimit të lirë nga dikush, dëshire individuale ose e “fitores së vogël”. Është detyrim ligjor që zbatohet me automatizëm, pavarësisht obstruksioneve që dikush dëshiron të bëjë. Nëse çdo individ i interpreton ligjet dhe luftën kundër çdo gjëje që konsideron se nuk është e pranueshme, për shembull, tatimit apo për sanksionim të veprave penale, do të arrijmë në pikën e anarkisë dhe sundimi i ligjit do të humbas funksionin e vet”,  thotë Rashkovski.

Ai konfirmon se detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja përfundimtare me Greqinë po kryhen në të gjitha nivelet, sipas dinamikës së parashikuar dhe pa ndonjë pengesë.

Ivanov është ende “kryetar” i Republikës së Maqedonisë

Ivanov me praktikën e vjetër

Përjashtim nga kjo, krahas veprimit të djeshëm të  këshilltarëve të VMRO-DPMNE në Këshillin e Kisella Vodës, është edhe kreu i shtetit Gjorge Ivanov. Pasi përdorimi i emrit të ri kushtetues të shtetit – Republika e Maqedonisë Veriore hyri në fuqi, vetëm faqja e internetit e presidentit nuk ka ndryshime: Ivanov është ende “kryetar i Republikës së Maqedonisë“. Në shkurt ai ka vazhduar të paraqesë dekrete dhe vendim për publikim në “Gazetën Zyrtare” me të njëjtin nënshkrim “Kryetari i Republikës së Maqedonisë”. Këtë praktikë “Gazeta Zyrtare” e ndërpreu në fillim të marsit, duke njoftuar se nuk do të publikojë më dekretet dhe vendimet e kryetarit, sepse nuk e ka ndryshuar titullin e kryetarit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Por, Ivanov ka vazhduar të zbatojë të njëjtën praktikë në segmente ku nuk varet nga institucionet tjera – në dekorimet që i jep ai. Para skadimit të mandatit të tij, faqja e internetit të kryetarit është e mbushur me njoftime për një numër të madh shpërblimesh që ai jep, e në të cilat anashkalohet emri i ri i vendit. Kështu, më 27 mars, ai i ka ndarë mirënjohjen “Karta e Republikës së Maqedonisë” për Agjencinë turke për bashkëpunim dhe koordinim – TIKA. Më 20 mars me “Medaljen të Meritave për Maqedoninë” i ka dekoruar profesorët e shquar Akan Suver dhe Ismail Serageldin, ndërsa “Kartën e Republikës së Maqedonisë” ia ka ndarë organizatës “Maqedonia 2025”. Më 19 mars i ka dekoruar me “Medaljen e Meritave për Maqedoninë” gjuhëtarët Uolf Oshlis Viktor Fridman dhe Kristina Kramer, ndërsa të njëjtën mirënjohje një javë më parë ua ka ndarë edhe gjuhëtarët Kosta Peev, Stojan Lekoski dhe Ollga Pankin.

Siç mëson DW, ueb-faqja e Ivanovit nuk do të pësojë asnjë ndryshim deri në fund të mandatit të tij, as do të kërkohet të hiqet nga përdorimi për shkak të shkeljes së detyrimeve të tij ligjore. Deri në fund të mandatit, ai do të jetë në gjendje pa pengesa ta “mbrojë” emrin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button