Eurokomisioneri Han në Beograd: Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm

Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Han sot në Beograd tha se Bashkimi Evropian po përpiqet të përgatisë rajonin që në fazat sa më të hershme të përshtatet me të gjitha sfidat me të cilat do të përballet kur vendet e rajonit të bëhen anëtare të BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Han tha se bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm, për të cilën një shembull i mirë është nisma për heqjen e roamingut në vendet e rajonit.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç, Han tha se vlerëson angazhimin e fuqishëm të Serbisë për bashkëpunimin rajonal.

Ai tha se bashkëpunimin rajonal e dëmtojnë masat që Kosova ka vendosur siç është taksa ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH), duke potencuar se dialogu Beograd-Prishtinë është i rëndësishëm, por kjo nuk është e gjitha, kur është fjala për të ardhmen dhe bashkëpunimin rajonal, dhe se do të ishte gabim që të gjitha përpjekjet e tjera të Serbisë në rrugën drejt BE-së të ngadalësohen, sepse dialogu është ndërprerë.

“Megjithatë, ka fusha të tjera që në mënyrë të barabartë kontribuojnë në bashkëpunimin rajonal, si heqja e roamingut dhe prandaj përshëndes hapin e qeverisë për të mbështetur këtë nismë dhe për të gjetur një mënyrë për realizimin e saj”, tha Han.

Sipas tij, është e rëndësishme të shikojmë në të ardhmen dhe të shohim se si mund të përmirësohet bashkëpunimi i mëtejshëm rajonal.

“Ne po përpiqemi të përgatisim rajonin që në fazat sa më të hershme të përshtatet me të gjitha sfidat me të cilat do të përballet kur vendet e rajonit të bëhen anëtare të BE-së”, tha Han.

Ai tha se me kryeministren e Serbisë ka folur gjerësisht për strategjinë e re të medias dhe është i bindur se në pranverë do të jetë e mundur të përfundojë ky proces, sepse ky është një shembull i një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin të gjithë aktorët e shoqërisë.

“Dje dhe sot kemi diskutuar edhe për Kuvendin e Serbisë dhe ramë dakord që të gjithëve duhet t’u ofrohet një formë e ndihmës. Eurodeputetët kanë ofruar mënyra se si mund të përmirësohet bashkëpunimin midis pozitës dhe opozitës ashtu që të funksionojnë më mirë”, shtoi Han.

Ai përsëriti nevojën për përparim në sundimin e ligjit, por shprehu bindjen se ky progres është i mundur.

Kryeministrja serbe Brnabiç gjithashtu foli për iniciativat rajonale dhe integrimin rajonal, me vërejtjen se Serbia ka një dozë rezerve për integrimin rajonal dhe marrëveshjen rajonale për heqjen e roamingut, i cili vjen “në kohën kur Prishtina vazhdon të këmbëngulë për shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s me vendosjen e taksës”.

Ajo ka vlerësuar se nuk është e drejtë të insistohet për marrëveshje të mëtejshme rajonale kur Prishtina shkel marrëveshjen tashmë ekzistuese të CEFTA-s. Brnabiç tha se “Serbia mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj një rajoni të lidhur, të fuqishëm dhe të integruar dhe i cili të gjithë qytetarëve të rajonit, pavarësisht se ku jetojnë, u siguron një vizion të ndryshëm për të ardhmen”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button