Ministrja Deskoska për fatin e PSP-së: Tri çështje janë të papranueshme për ne (VIDEO)

Përmbyllja e lëndëve që do të hapen pas 18 muajsh nga dita e skadimit të mandatit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), plotësimi i interesave personale dhe formimi i Gjykatës Speciale, sipas ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska nuk mund të inkorporohen në Ligjin për Prokurori Publike dhe janë të papranueshme, transmeton Portalb.mk.

LEXO: Fati i PSP-së, partitë opozitare shqiptare kanë 5 kërkesa

“Cili do propozim apo amendament, që kërkon mbyllje të të gjitha lëndëve pas 18 muajve nga skadimi i mandatit të PSP-së, është i papranueshëm për ne”.
“Nuk mund të jetë i pranueshëm një Ligj i cili ka për qëllim realizim të interesave personale”.
“Çështjen e Gjykatës Speciale nuk mund ta hapin tash në pjesën e Ligjit për Prokurori Publike. Ajo është çështje për debat tjetër, ndërkaq sot jemi fokusuar vetëm në Ligjin për Prokurori, por për gjithçka që ka të bëj për reformat në gjyqësor, ne jemi në dispozicion. Por ne sot jemi të fokusuar në Ligjin për Prokurori Publike”, tha Deskoska.

LEXO: Ja pse Maqedonia duhet të ketë edhe Gjykatë Speciale

Pas takimit me krerët e partive opozitare shqiptare, Bilall Kasamit – Lëvizja BESA dhe Ziadin Selën – Aleanca për Shqiptarët, Deskoska ka treguar se për të është e pranueshme vetëm kërkesa për zhbllokim të punës së PSP-së.

“E pranueshme është kërkesa për zhbllokim të punës së PSP-së si organ i cili do të ketë kompetenca efikase, i cili do të jetë edhe prokurori e veçantë, që është e përfshirë në Ligj”, tha Deskoska.

Deskoska ka njoftuar se i ka shqyrtuar edhe amendamentet që janë dorëzuar nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-ja, dhe sipas saj, ato përfshijnë tri çështje që kanë të bëjnë me:

  • Statusin e PSP-së;
  • Dëshmitë dhe procedurat gjyqësore që udhëhiqen për momentin nga PSP-ja dhe
  • çështje të tjera që lidhen me Kodin Etik dhe Këshillin e Prokurorëve Publik.

Deskoska nuk precizoi kur është afati i fundit i miratimit të Ligjit, ndërkaq kujtoi se kërkesa Komisionit Evropian parasheh që ai të jetë sa më shpejtë.

Në lidhje me këtë, në takimin joformal me gazetarët, kryetari i Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi deklaroi se seanca plenare për miratim të Ligjit për Prokurori Publike mund të caktohet ditën e nesërme të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, 6 maj.

LEXO: Bashkimi Evropian me reagim ndaj partive të Maqedonisë së Veriut për Ligjin e Prokurorisë Speciale Publike

Në lidhje me procesin e bisedimeve për Ligjin e Prokurorisë Publike dhe fatin e PSP-së, është deklaruar edhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në RMV ku thonë: “Të përkujtohemi se PSP-ja u themelua nga partitë më të mëdha politike nëpërmjet Marrëveshjes së Përzhinos, që të sigurojë llogaridhënie për ndjekjen e paligjshme të komunikimeve dhe përmbajtjes së tyre. PSP-ja ka dhënë kontribut të rëndësishëm për të ri-themeluar llogaridhënien dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që PSP-ja të vazhdojë me ndjekjen e personave përgjegjës në mënyrë profesionale dhe të pavarur”.

Nga ana tjetër, sot, për në orën 18:00 është caktuar takimi i tretë i grupeve të punës mes Qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së për arritjen e një marrëveshjeje për projektligjin për Prokurorinë. Ky takim vjen pas duelit televiziv mes kryeministrit, Zoran Zaev dhe kryetarit të opozitës, Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE i dorëzoi në Ministrinë e Drejtësisë amendamentet për Ligjin për Prokurori Publike, sipas të cilit rregullohet dhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button