Gazetari i “bombave” – Llatas, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeredaktorit në TV Sitel

Dragan Pavlloviq – Llatas ka dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeredaktorit në TV Sitel. Ai thekson se jep dorëheqje me qëllim që të mbrohet nga trysnitë e mëtutjeshme ndaj tij si gazetar dhe ndaj mediumit që punon, njofton Portalb.mk.

Por, megjithatë ai tha se do të mbetet pjesë e TV Sitelit si gazetar dhe producent ekzekutiv.

Kush është Pavlloviq-Llatas?

Llatas ka lindur në Shkup, ndërkaq shkollimin e ka kryer në Beograd dhe Shkup. Me gazetari merret që nga viti 1980.

Llatas dyshohet për bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe gjatë kohës së luftërave të Jugosllavisë. Gazeta “Vreme” ka publikuar dokumente nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të cilat tregojnë se Llatas e ka organizuar djegien e Ambasadës së Amerikës në Shkup në vitin 1999 me urdhër të UDBA-s. Gazeta gjithashtu e thekson se Llatas ka qenë informator i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, dhe urdhrin për djegien e Ambasadës e ka marrë më 13 mars të vitit 1999, ndërkaq djegia ka ndodhur 10 ditë më vonë. “Vreme” e ka akuzuar Llatasin dhe se e ka spiunuar udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, në kohë kur në krye të partisë ka qenë Lubço Georgievski.

Pavlloviq Llatas është paditur nga 13 gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile në vitin 2009-të për tekstin pa autor në “Veçer” me titull “Greqia i paguan të tyre, ndërkaq Maqedonia i paguan gazetarët e vet që të kalojë propozimi grek”. Llatas në emision televiziv është lavdëruar se në shtëpinë e tij nga politikanët ka hyrë vetëm kryeministri Nikolla Gruevski dhe se ai është mik i tij personal, transmeton Portalb.mk.

Llatas është dënuar nga fusha gazetareske për shkak të fjalorit të tij të papërshtatshëm dhe shkelje të Kodit Etik Gazetaresk. Në një intervistë në Sitel në vitin 2016-të, Llatas i tha liderit të atëhershëm të opozitës, Zoran Zaev se është “përbindësh” dhe se “gënjen si turk”. Ndaj sjelljes së Llatasit reagoi Ambasada e Turqisë në Maqedoni dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, por edhe opinioni i gjerë se i ka ofenduar turqit.

Llatas ka qenë pjesë e skandalit të bisedave të përgjuara që i ka publikuar LSDM-ja. Zëri i tij është dëgjuar duke biseduar me funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, madje edhe me shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov se si të rregullohet politika redaktuese në TV Sitel. Në disa biseda, Llatas nga gjykatësja Filimena Manevska ka kërkuar shërbim që të fitojë konteste gjyqësore në dobi të tij.

Ai është i akuzuar në një lëndë të Prokurorisë Speciale për fshehte të tatimit.  Ai si pronar dhe menaxher i ndërmarrjeve për marketing dhe shërbime konsaltingu “Total marketing” SHPKNJP Shkup, “Mediamaks” dhe “Total Media Centar” SHPKNJP Shkup, ngarkohet se në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015 me persona juridik për shkak të evitimit të pagesës të tatimeve në llogaritë përfundimtare dhe paraqitjet tatimore, kanë dhënë të dhëna të rrejshme. Me këtë e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 63.000 euro.

Gjatë kohës kur me TV Sitel ka udhëhequr Llatas, ky televizion ka qenë i afërt me VMRO-DPMNE-në dhe ka promovuar politikat e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button