Analizë: Brukseli kërkon që politikanët maqedonas ta ndryshojnë mentalitetin

Në fund të vizitës në Bruksel, delegacionin e Maqedonisë e goditi një tush i ftohtë.

Me lëvdatat për përkushtimin ndaj reformave, të shprehura pas përfundimit të takimit 15 të Këshillit për stabilizim dhe asocim ndërmjet vendit dhe Bashkimit Evropian, nuk erdhi edhe garancia që në qershor do të ketë dritë jeshile për të filluar negociatat me BE, transmeton meta.mk. 

Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Federika Mogerini dhe eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, kanë shprehur kënaqësi me dinamikën e procesit reformues, por njëkohësisht ishin të qartë – kërkuan që politikanë e Maqedonisë ta ndryshojnë mentalitetin e sjelljes politike.

Në atë aspekt, eurokomisari Han theksoi se vendi ende nuk i ka mbaruar – reformat në gjyqësor, shërbimet e inteligjencës dhe administratën publike.

– Sot (19.03.2019) dëgjuam shumë për progresin, por duhet t’ju inkurajoj të vazhdoni, e jo t’i ngadalësoni të gjitha ato përpjekje. Ndryshimet në legjislacion janë pozitive dhe të domosdoshme, por duam të shohim ndryshim permanent të mentalitetit dhe sjelljes. Kjo është diçka që është shumë më e rëndësishme në aspekt të procesit të suksesshëm të anëtarësimit në BE – deklaroi Han.

Pas takimit në Bruksel edhe shefja e politikës së jashtme evropiane Mogerini, duke e lavdëruar energjinë me të cilën Qeveria i është qasur procesit të reformave, në mënyrë mjaft eksplicite tha se ekzistojnë dobësi që duhet të korrigjohen në të ardhmen.

– Ndryshimi nuk është vetëm të miratohen BE-ligjet, por edhe të zbatohen. Jam e bindur se Maqedonia e Veriut do të mbetet e përkushtuar në punën e vet në javët, muajt, vitet në vijim, kurse ne do të japim përkrahjen tonë të plotë për implementimin e agjendës së reformave… – theksoi Mogerini.

Gjithashtu, krerët evropian qartë e kanë bërë të ditur se BE prej së afërmi do ta mbikëqyr procesin zgjedhor, duke paralajmëruar se zgjedhjet presidenciale duhet të jenë të organizuara në mënyrë të përkryer dhe kristal të pastra. Ata i kanë ftuar edhe pushtetin edhe opozitën për përgjegjësi, për shkak se pjesëmarrja në proceset zgjedhore do të jetë me rëndësi thelbësore për të vlerësuar fillimin e negociatave në qershor.

Duke i dëgjuar me vëmendje sinjalet e këtilla paralajmëruese të dyshit evropian Han-Mogerini, kryeministri Zaev premtoi se Qeveria do të punojë në reforma me ritëm të intensifikuar.

– Në periudhën para nesh do të punojmë edhe më tepër, edhe më mirë, bashkë me opozitën dhe të gjithë deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për realizimin e gjithë detyrave që kanë mbetur, të cilat mund të kenë ndikim në vendimin në qershor – ka thënë Zaev.

Ndërkohë, grupet punuese të qeverisë dhe opozitës nuk arritën të pajtohen rreth projektligjit për Prokurorinë publike, i cili e zgjidh statusin e Prokurorisë speciale publike (PSP). Përpjekje e re për të arritur pajtueshmëri për të ardhmen e PSP do të ketë të premten (22.03.2019), kur është  përcaktuar]edhe një takimi i grupeve të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button