Ambasada e SHBA-së në Kosovë e shqetësuar nga mosfunksionalizimi i KQZ-së

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu shqetësim për, siç tha, vonesën mbi njëvjeçare për emërimin e dhjetë përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ).

“Dështimi për t’i bërë emërimet e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funskionet e saj themelore”, thuhet në reagimin e ambasadës, transmeton REL.

Sipas të njëjtit, “ky dështim e ka rritur perceptimin e publikut se edhe një nga institucionet më efektive dhe jopartiake të Kosovës është i cenueshëm ndaj ndërhyrjes politike”.

Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ, për të rikthyer, siç tha, “kapacitetin e institucionit për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur, në emër të popullit të Kosovës”.

Ngecja e funksionalizimit të KQZ-së thuhet se lidhet me një kontest rreth përfaqësimit që do ta kenë në këtë komision partitë politike të koalicionit qeverisës.

Partitë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, më herët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ka kohë që i kanë dërguar propozimet e tyre për anëtarë të KQZ-së.

Por, me Kushtetutë, vendimi për emërmin e tyre i takon presidentit Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button