Moskompletimi i Agjencisë, Osmani: Në shqip do të përkthejnë shqiptarët që s’janë përkthyes profesional

“Ajo çfarë kam bërë unë, është të shfrytëzoj kapacitetet aktuale që janë në Sekretariat, që nuk janë realisht përkthyes profesionistë, por janë shqiptarë dhe bëjnë çështje tjera në Ministri. Do të bëjnë përkthime derisa Agjencia të furnizohet me njerëz”, kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot në konferencë për media në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), transmeton Portalb.mk.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela, sekretari i Përgjithshëm, Dragi Rashkovski dhe pjesëtari i grupit ndërresor për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Tahir Hani.

Sela bëri të ditur se kompletimi i kuadrit të Agjencisë, do të bëhet pas mbarimit të zgjedhjeve presidenciale të 21-prillit, dhe më pas do të përpilojë programin vjetor.

“Pasi të përfundojë procesi zgjedhor do të kemi edhe konkurse për ta kompletuar ekipimin. Kam njoftuar edhe për sistematizimin dhe rregulloren, ku jemi në fazën finale. Si ta kompletojmë ekipin, do të kemi edhe programin e Agjencisë, kështu që vazhdojmë me fazat tjera që na presin”, tha Sela.

Rashkovski njoftoi se personat që do të angazhohen në Agjenci, janë të angazhuar në Sekretariatin e Përgjithshëm, dhe kalimi i tyre bëhet me qëllim që të fillojë zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Personat që do të kalojnë në Agjenci, janë nën Sekretariatin e përgjithshëm. Bëhet fjalë për persona që tashmë kanë njëfarë përvoje në punën e administratës shtetërore, dhe vlerësojmë se kapacitetet e tyre do të kontribuojnë në këtë Agjenci. Është me rëndësi që fillimi të tregojë se nuk ka diçka të keqe në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, dhe se e njëjta nuk dërgon në ndryshim të asnjë rregulloreje shtetërore. Këto janë të drejtat të qytetarëve”, tha Rashkovski.

Agjencia e Gjuhës Shqipe. Foto: MAPS

Ndaj kësaj, Sela sqaroi se personat e angazhuar nuk janë lektorë, përkthyes apo gjuhëtar, por financiar, arkivist dhe jurist.

“Në fazën fillestare na duhet një arkivist, një i çështjeve financiare, një i çështjeve juridike. Normalisht, nëse ka persona të cilët janë në kuadër të Sekretariatit, janë të aftë dhe mund ta kryejnë punën me përgjegjësi, normalisht se do të jenë pjesë e ekipit. Përndryshe, unë jam në komunikim me kuadrin. Ka kuadër të mirë, të cilët do ta bëjnë punën me sukses, dhe shpresojmë se me hapjen e konkurseve, këto njerëz do të paraqiten, dhe do të jenë pjesë e ekipit tim”, tha Sela.

Paraprakisht, Portalb.mk ka njoftuar se deri te funksionalizimi i Ajgencisë së Gjuhës Shqipe duhet të kalojnë edhe pesë hapa, pasi paraprakisht u caktua lokacioni i cili do të jetë në ish hapësirat e Policisë Financiare.

LEXO: Maqedoni, tetë proceset e funksionalizimit të Agjencisë së Gjuhës Shqipe (Infografik)
LEXO: Maqedoni: Formimi i Agjencisë për Gjuhën Shqipe, pas zgjedhjeve presidenciale


Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button