Ixhet Memeti: Nuk ka të drejta qytetare me administratë të partizuar

“Thjeshtë, nuk mundet ndonjë administrator të vendos se në tre ditët e ardhshme nuk do të punojë dhe se lëndët do të fillojë t’i zgjidh javën e ardhshme… Ky nuk është rast i shpikur”, thotë avokati popullor, Ixhet Memeti në një intervistë për “Meta”, transmeton Portalb.mk.

Ai thekson se qytetarët më shumë kanë ankesa ndaj gjyqësorit, marrëdhëniet e punës, denacionalizimin, të drejtat sociale dhe të konsumatorit, ndërkaq njëra ndër pikat më të dobëta në sistem është administrata publike.

Sa për momentin qytetarët mund t’i realizojnë të drejtat e tyre përpara administratës shtetërore?

“Në një shoqëri e cila ka administratë publike profesionale, respektohet parimi i sundimit të ligjit, ndërkaq mbrojtja e të drejtave ligjore dhe kushtetuese të qytetarëve nuk është deklarative, kjo pyetje gjithsesi do të kishte qenë e panevojshme.

Realizimi i të drejtave është proces i cili është i vazhdueshëm dhe në të cilin absolutisht është e papranueshme që të ketë ndalesë. Thjeshtë nuk mundet, për shembull, ndonjë administrator të vendos se në tre ditët e ardhshme të mos punojë dhe lëndët të fillojë t’i zgjidh nga java e ardhshme. Paramendoni në një situatë të këtillë se si do të ndjehet ai i cili nuk ka mjete ekzistenciale dhe kërkon ndihmë sociale nga shteti që të mundet ta ushqejë familjet e tij. Ky nuk është rast i paramenduar, por është pjesë e konstatimeve të mia të përditshme të cilat dalin nga puna e institucionit.

Me vite mbrapa, administrata publike është detektuar si njëra ndër pikat më të dobëta të sistemit dhe shteti është qortuar për shkak të jo-efikasitetit dhe jo-kualitativ në punë. Personalisht mendoj se në këtë segment duhet që urgjentisht të bëhen reforma të thella dhe thelbësore, mes tjerash dhe të përmirësohet edhe përshtypja e qytetarëve se administrata me të vërtetë punon në interes të realizimit të të drejtave të tyre.

Sa shteti i mundëson të drejtat e qytetarëve?

Shteti është ai i cili ua garanton të drejtat qytetarëve dhe gjithsesi se e ka për obligim që për atë qëllim të krijojë supozime për realizimin e tyre të pandërprerë. Në fakt, qytetarët paguajnë tatime, kontribute dhe taksa dhe për atë duhet që të fitojnë shërbime përkatëse kualitative dhe në kohë në të gjitha sferat e jetesës. Për shembull, kur ju çdo muaj prej të ardhurave personale i ndani kontributet për sigurim shëndetësor, pritni se kur të keni nevojë ta realizoni këtë drejtë, shteti në mënyrë të pakushtëzuar t’ua mundësojë. Mu shkalla e realizimit të të drejtave, tregon se sa një shoqëri është e zhvilluar, por edhe se çfarë është vetëdija tek ata që sipas ligjit duhet që t’i mundësojnë të drejtat e qytetarëve.

Apo ndërrohet gjendja dhe në cilat fusha ka më shumë probleme?

Vitin e kaluar deri te zyra jonë kanë arritur 3.458 ankesa nga qytetarët, që në krahasim me vitin 2017 numri është në rritje. Pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me gjyqësorin, që tregon se kjo fushë vazhdon të jetë hallka më e dobët në shoqëri, edhe pse është i ndarë si pushtet i tretë. Më pas, rritje të madhe ka edhe te ankesat në lidhje me marrëdhëniet e punës, marrëdhëniet pronësore-juridike, ndërkaq veçmas është rritur numri i ankesave për denacionalizim (proces i cili gjatë kohë është dashur të mbarojë), të drejtat sociale dhe të konsumatorit.

Si të tejkalohet gjendja? Çfarë duhet të ndërmarrë shteti dhe çfarë duhet të bëjnë qytetarët që t’i realizojnë të drejtat e tyre?

Përgjigja është e thjeshtë – zbatim i drejtë i ligjeve dhe dispozitave tjera dhe punë efikase nga ana e administratës. Unë vazhdimisht them se ne në parim kemi ligje të mira, bazë të mirë ligjore, por problemi është në zbatimin e tyre dhe partizimi i administratës. Ndarja në “tanët” dhe “tuajt” bie në shpinë të qytetarëve. Ata, edhe realizimin e të drejtave e paguajnë nga ndarja politike e shoqërisë e cila për fat të keq ka hyrë në të gjitha segmentet. Prej këtu, pa ndryshimin e vetëdijes te administrata se atë e paguajnë qytetarët të cilët drejtohen në sportelet e tyre, dhe jo partia, nuk mundemi të flasim për atë që quhet administratë e mirë dhe sundim të ligjit. Qytetarët gjithsesi se nuk duhet që të heshtin, por për t’i realizuar të drejtat e tyre duhet që t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat mbrojtjes, përfshirë edhe Avokatin e Popullit. Ajo që inkurajon është fakti se për këto 20 vjet nga themelimi i institucionit Avokat i Popullit, ajo etablon si trup i pavarur te qytetarët dhe i besojnë, andaj edhe drejtohen madhe edhe në rastet kur janë të vetëdijshëm se për shkak të mospasjes së kompetencave nuk mundemi që në mënyrë adekuate t’u ndihmojmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button